UBT News

​Haradinaj kërkon rishikim urgjent të buxhetit për vitin 2022

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht të rishikojë buxhetin për vitin 2022, pasi siç tha ai, kanë ndryshuar parazhikimet në të cilat është bazuar ky buxhet.

Në një konferencë për media, Haradinaj i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të rishikojë edhe investimet kapitale.

“Si Aleancë kërkojmë urgjentisht të ndodhë rishikimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2022. Praktikat e rishikimit ekzistojnë, pra një rishikim tradicional në mes të vitit, por ne kërkojmë që rishikimi të ndodhë tani, urgjent. Analiza jonë, e departamentit të Financave, e kolegëve, e ekspertëve, është se kanë ndryshuar të gjitha parashikimet në të cilat është bazuar ky buxhet. Pra, ka ndryshuar inflacioni, janë rritur çmimet, ka një situatë urgjente të krizës në Kosovë. Bazuar në këtë, si Aleancë, i sugjerojmë Qeverisë që të ndërmerr menjëherë rishikimin e buxhetit të vendit”, tha ai.

I pari i AAK-së ka dhënë edhe disa sugjerime për Qeverinë.

“Po ashtu, ne i sugjerojmë Qeverisë që të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyjnë në krizën financiare në vend. Është reale heqja e TVSh-së për artikujt bazë ushqimorë për një periudhë prej 3 muajsh, për t’u rivlerësuar më tutje. Po ashtu, vlerësimi i akcizës për naftën, për shkak se akciza, ose çmimi i rritur i naftës ka ndikim në rritjen e të gjitha çmimeve tjera, por kësisoj të veprohet edhe me ndërhyrjen e karteleve financiare, sikurse është likuiditeti i KOSTT-it, veçanërisht humbjet në veri, të cilat po vazhdojnë me u rritë”, shtoi ai.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri tha se buxheti aktual është përgatitur mbi disa premisa joreale.

“Është vlerësuar që rritja e GDP-së në vitin 2022 do të jetë 14.5 përqind, gjë që është në kundërshtim me të gjitha vlerësimet e institucioneve financiare. Pra, 14 përqind rritja e GDP-së nuk mund të ndodhë këtë vit, nuk mund të ndodh asnjë vit, me këto parametra të investimeve të lëvizjeve ekonomike. Pastaj, një bazë tjetër, që vlen të përmendet, është paraparë që inflacioni të jetë 2.6 përqind, ndërsa rritja e çmimeve 0.2 përqind. Pra, janë shifra joreale që e krijojnë një bazë shumë reale për kërkesën tonë që të bëhet një rishqyrtim sa më i shpejtë i buxhetit”, tha ai. 

Exit mobile version