UBT News

​Haradinaj kërkon nga diaspora të ndihmojë Fondin e Sigurisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka vazhduar takimet me diasporën shqiptare dhe strukturat e AAK-së.

Pas vizitës dhe takimeve në Zvicër, Haradinaj bashkë me deputeten e Kuvendit, Time Kadrijaj, ka takuar sot aktivistë të AAK-së në Strasburg të Francës dhe Ludwigsburg të Gjermanisë. Këtë e ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

“Së bashku me koordinatoren për çështjet e Diasporës, deputeten Time Kadrijaj, në Strasburg të Francës dhe në Ludwigsburg të Gjermanisë kam zhvilluar takime me aktivistë të AAK-së dhe bashkatdhetarë. I informova për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë, si dhe për rolin e Aleancës si subjekt opozitar”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka folur edhe për Fondin e Sigurisë së Kosovës duke i bërë thirrje diasporës për të kontribuar si gjithmonë.

“Kam bërë thirrje që të ndihmohet Fondi i Sigurisë së Kosovës, si mekanizëm shtesë për më shumë siguri në vend, duke falënderuar bashkatdhetarët për kontributin e tyre në të gjitha kohërat”, është shprehur Haradinaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të këtij muaji ka themeluar Fondin e Sigurisë. Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

Përmes këtij fondi mundësohet pranimi i donacioneve të mërgatës si dhe çdo qytetari që është i interesuar të kontribuojë. Llogaria është funksionale nga 2 marsi 2022 dhe të gjitha transferet mund të realizohen brenda dhe jashtë vendit, ka njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Exit mobile version