UBT News

​Haradinaj kërkon miratimin e Ligjit për paga, SBAShK-u paralajmëron protesta

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar me urgjencë miratimin e Ligjit për pagat, i cili theksoi se institucionet po rrezikojnë sektorin publik.

Haradinaj këto komente i bëri në tryezën me temë “Pagat në sektorin publik, statusi aktual i projektligjit dhe urgjenca e procedimit të tij” organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së.

Derisa për mosmiratimin e këtij ligji, SBASHK-u ka planifikuar që në dhjetor dhe janar do të mbajnë protesta dhe greva.

Ish-kryeministri Haradinaj tha po ashtu se Ligji për paga krijon bazë të qëndrueshme, dhe sipas tij ka një kosto vjetore 140 milionë euro.

“Për të mundësuar krijimin e një rregulli më të madh dhe një status të garantuar, mendojmë se duhet t’i paraprijë Ligji i pagave. Për këtë ligj mbi një dekadë kanë ndodhur diskutimet e debatet. Kështu, si i tillë ky ligj krijon një bazë të qëndrueshme për ecje më tutje. Ligji nuk sjell pasoja, përkundrazi edhe ata që ndihen të pa trajtuar sa duhet me ligj, kanë mundësi të kërkojnë ndryshim. Ndërsa, nëse do të fuqizohej ligji tash në këtë vjeshtë, do ta obligonte qeverinë që ta parash në planifikimin buxhetor për vitin që vjen. Kostoja e Ligjit për një vit është deri 140 milionë euro, që i bie diku 13 milionë euro në muaj. Pse është kjo kosto? Këtu hyjnë rritjet dhe shtesat pastaj. Nëse ne nuk e fuqizojmë këtë ligj tash, ne jemi duke e rrezikuar krejt sektorin publik në Kosovë”, theksoi Haradinaj.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka theksuar se dhjetori dhe janari do ta gjejë vendin me protesta e greva në sistemin arsimor. Ai tha se SBASHK-u është në një situatë të pakëndshme dhe ka kërkuar nga shoqëria civile që mos t’i drejtojnë shigjetat nga sindikatat për veprime sindikale.

“Se jemi në hall të madh, dhe pa dashjen tonë, kam fikë se do të kthehet edhe arsimi dhe shëndetësia në një situatë tepër të pakëndshme, të cilën nuk e duam. Qeveria Kurti ka muaj që ka ardhur, por asnjëherë nuk i ka hapur dyert e dialogut. SBASHK-u mund ta kuptojë pak kryeministrin Kurti se ndoshta ka detyra të tjera, por s’ka mundësi të kuptojë ministrin Murati i cili ka harruar se është edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ne jemi në presion më të madh të anëtarësisë, ata po kërkojnë çfarë (po ndodh) me Ligjin e pagave… Mos i drejtoni shigjetat nga ne, nëse nuk ka përgjigje nga Qeveria, deshëm apo ajo do të gjendemi në greva e protesta. Më 4 dhjetor veç do të fillojmë me protesta, më 18 me të tjera, dhe janari do të jetë me grevë. Nuk e dëshirojmë këtë, por si duket Qeveria Kurti po na orienton drejt kësaj situate të keqe”, theksoi Jashari.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla theksoi se Qeveria nuk ka vullnet për miratimin e Ligjit të pagave.

“Me pas qenë vullneti i qeverisë kjo çështje brenda javës ishte kryer dhe kishte dalë në debat publik. Pra nuk është vullneti. Të vetmen letër që kemi marrë nga një zyrtare anonime, e cila ka thënë se po punon një grup brenda ministrisë së Administratës Publike dhe kaq, më tepër nuk ka”, tha ai.

Edhe kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës Mursel Zymberi, tha se është shqetësuese se si qeveria e cila thirret si e majtë nuk pranon dialog social.

“Ajo çka është shqetësuese është se qeveria i ka mbyllur dyert për komunikim me sindikata. Edhe më shqetësuese është kjo të ndodhë nga një qeveri e cila thirret si e majtë dhe nuk pranon dialogun social”, u shpreh Zymberi.

Derisa kryetari Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ka një terr informativ nga qeveria në raport me Ligjin për pagat.

“Këtu ka një bllokadë totale, shtet-sindikatë. Po ashtu ka një terr informativ në raport me një punë që qenka duke ndodhur, por unë dyshoj që është duke ndodhur. Sepse për këtë ligj me detaje e di se qysh punohet”, theksoi Tahiri.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati javën e kaluar ka thënë se nëse miratohet Ligji për pagat atëherë do të gjejnë mjete për mbulimin e kostove.

Exit mobile version