Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar sot debat parlamentar rreth situatës së sigurisë në vend pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm në krah me ShBA, BE-në dhe Ukrainën, dhe se nuk duhet të bie pre e provokimeve.
Ai thotë se agresioni rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit.
“Vitin e kaluar kam theksuar se Kosova nuk mund të pres pafundësisht për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Aleancën Veriatlantike. Me urgjencë duhet të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan, të përfundojë Strategjia Nacionale e Sigurisë si dhe të procedohet në Kuvend, ligji për Fondin për Mbrojtje (donacionet për Ushtrinë e Kosovës). Të gjitha këto, krahas anëtarësimit tonë në NATO, do të krijojnë një realitet të ri të sigurisë në rajon dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Për këto arsye do të kërkoj debat parlamentar rreth situatës së sigurisë në vend. Kjo situatë nuk duhet ta gjejë në gjumë qeverinë aktuale, por e njëjta duhet të angazhohet që këtë situatë ta shfrytëzojë sa më mirë, në dobi të Kosovës dhe qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj.