Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë siç tha ai fryrjen e faturave të energjisë. Ai i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti duke thënë se kriza energjetike nuk zgjidhet me punësim enorm të militantëve partiakë.
“Ftoj Prokurorinë të hetojë fryrjen e faturave të energjisë. Kryeministër kriza energjetike në Kosovë nuk zgjidhet me punësimin enorm të militantëve partiakë e as të atyre që sipas teje janë për dasma e kanagjegje. A je i vetëdijshëm se faturat e energjisë pas shtrenjtimit në shumë raste e tejkalojnë dyfishin, e ka dyshime serioze se ato janë fryrë përtej çdo tarife, kategorie apo kriteri”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe punësimet në KEK për të cilat është raportuar në medie.
“Sot kur është e qartë se qytetarët kanë mbetur krejtësisht vetëm, ftoj organet e hetuesisë që krahas hetimeve për punësime abuzive në KEK, të fillojnë hetimet edhe për faturat e fundit të energjisë. Ka dyshime serioze që qytetarët janë vjedhur”, ka përfunduar shkrimin Haradinaj.