Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se përmes procesit të brendshëm zgjedhor që është duke u zhvilluar kjo parti do të dëshmojë para qytetarëve seriozitetin e saj. Kreu i AAK-së e ka konsideruar shqetësues hapjen e valës së re të privatizimit, kurse vendimin për kthim të pronave tek AKP-ja nga komunat e quan të pjesshëm.
Haradinaj në një konferencë për medie ku foli për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të brendshme të AAK-së u shpreh se deri tani janë mbajtur mbi 340 kuvende të nëndegëve, të strukturave të rinisë dhe të gruas.
“Tani demokracia në Kosovë vërtetë ka nevojë për demokraci të brendshme të partive edhe ka nevojë për parti të hapura dhe të afta me i marr përgjegjësitë në vend dhe Aleanca deri tash ka dëshmuar se është serioze në përgjegjësitë e veta edhe besoj me këtë proces zgjedhor dhe me Kuvendin e Përgjithshëm do t’jua vërtetojmë qytetarëve seriozitetin tonë me përgjegjësitë që marrim”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa, tregoi se risi e këtyre zgjedhjeve të brendshme është rikthimi i Aleancës së Gruas, ku tashmë kryetare është zgjedhur, Diellza Kukaj.
E vetë Kukaj u shpreh se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është subjekt politik që rolin e gruas në politikë e ka trajtuar me kujdes.
“Aleanca ka qenë dhe mbetet një ndër subjektet që rolin e gruas në politikë e ka trajtuar me kujdes të veçantë. Duke e konsideruar gruan si shtyllë të fortë të proceseve politike dhe jo vetëm AAK ka rikthyer strukturwn e Aleancës së Gruas. Ditën e mërkurë më 25 maj është Kuvendi Qendror i Aleancës së Gruas në të cilin morën pjesë mbi 140 delegate… Procesi zgjedhor ka qenë mjaftë dinamik, AAK tashmë po shtrihet në tw gjithë Kosovën struktura e Aleancës së Gruas dhe me kënaqësi iu them se AAK në kuadër të Aleancës së Gruas ka gra të zonja e profesioniste që janë të gatshme të marrin përgjegjësi”, theksoi ajo.
Vendimin e rikthimit të pronave të disa komunave në menaxhim të AKP-së, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur si vendim të pjesshëm. Ai tha se e shqetëson edhe vala e re e privatizimi që tashmë është hapur, për çka tha se ndoshta njerëz të Vetëvendosjen po dëshirojnë me ble prona.
“Qeveria e ka marr një vendim të pjesshëm nuk e di se e ka arsyetuar atë qëndrim, mirëpo ajo që më shqetëson është një valë e re e privatizimeve edhe po duket se këto janë të ndërlidhura, pra qeveria Kurti ka nxjerr në privatizim rreth 55 prona shoqërore dhe nuk e ka deklaruar më herë ndonjë vizion pse i nxjerr në privatizim çka dëshiron me arrit apo ndoshta vetëm Vetëvendosja dëshiron me i ble disa prona ose njerëzit e tyre, pra është pak e habitshme kjo zinxhiri i këtyre temave… Çdo qeveri e ka një vizion nëse dëshirojmë të bëjmë zhvillim ekonomik rritje të vendeve të punës, aftësim të komunave atëherë iu jep mundësi. Tani vendimi i Kurtit i pjesshëm është i habitshëm pra i ka prekur disa komuna e jo disa të tjera në këtë rast ju po i veçoni disa serbe që nuk i ka prekur. Është me rëndësi që ai ta sqaroj pse nëse është vetë baza ligjore, nëse është një ndëshkim për disa komuna për disa komuna kuptohet ne kemi thënë disa herë se krejt logjika qeverisëse dhe krejt logjika është jo rritje ekonomike, jo vlerë e shtuar, jo rritjes së vendeve të punës kjo Qeveri lavdërohet me disiplinim fiskal me transparencë dhe me evidencë të të punësuarave por po shihet që do të kemi vështirësi në ekonomi me këtë qasje”, u shpreh ai.
Më 5 qershor Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë Kuvendin Zgjedhor për të zgjedhur struktura udhëheqëse të kësaj partie.