Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se Beteja e Koshares dhe thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar ka dëshmuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është gjallë dhe asnjëherë nuk do të shuhet.
Në 22-vjetorin e kësaj beteje, Haradinaj bashkë me bashkëpartiak bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh në kompleksin memorial “Dëshmorët e Koshares”.
“Sot në përvjetorin e Epopesë së Koshares ndodhemi në memorialin ku pushojnë heronjtë e kësaj epopeje ku është zhvilluar një luftë e gjatë dhe vërtet intensive dhe një kohë mjaft kritike për Kosovën. Është bërë përpjeke të gjatë për të dëshmuar se UÇK në teren nuk ekziston. Serbia në atë kohë thoshte se në atë kohë po lufton vetëm NATO. Fillimi i kësaj beteje, thyerja e kufirit në atë kohë shqiptaro-shqiptar ka qenë një porosi ndryshe, që jo vetëm që UÇK-ja është gjallë, por që asnjëherë nuk do të shuhet”, tha ai.
Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.