Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë në rajon dhe më tej, janë parimet e politikës së jashtme të Kosovës.
Kurti gjatë fjalës së tij me rastin e hapjes së edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, e cila mbledh diplomatë nga e gjithë bota, tha se beson që nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale mes diplomatëve, mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim mes vendeve dhe qeverive.
Me besimin se nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale në mes diplomatëve tonë, do të mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim në mes vendeve dhe qeverive tona, kryeministri Kurti i uroi edhe një herë mirëseardhje të pranishmëve në Kosovë dhe punë të mbarë gjatë qëndrimit të tyre në vend.
“Ndërsa Kosova rritet si shtet, ne vazhdimisht përpiqemi të shërbejmë si një model për botën si një vend, ku komunitetet dhe kulturat e ndryshme jetojnë në paqe, pavarësisht një të kaluare me luftëra dhe gjakderdhje. Për më tepër, ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe më gjerë, ne do të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë të sigurisë me BE-në, SHBA-në, dhe partnerët e tjerë. Politika jonë e jashtme bazohet në parimet e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Paqe e qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë me vendet e rajonit dhe më gjerë. Kjo bëhet edhe më e vërtetë kur çështjet janë të vështira”, tha ai.
I pari i ekzekutivit tha se përmes shkëmbimeve të tilla të përvojave dhe njohurive mes diplomatëve, avancohet bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes vendeve.
“Ne besojmë fuqimisht se përmes kontakteve të tilla formale dhe joformale midis diplomatëve, të cilat janë thirrja e tyre. Ne do të jemi në gjendje të avancojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis vendeve tona. Ne duhet të ndajmë përvojat me njëri -tjetrin dhe të mësojmë nga njëri -tjetri. Kështu që në shumë fusha, ne mund të punojmë dhe bashkëpunojmë, edhe më ngushtë në vitet që vijnë”, tha ai.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla duke u uruar mirëseardhje diplomatëve që kishin ardhur në Kosovë për Shkollën Diplomatike, tha se shteti i Kosovës është mbështetësi më i madh i BE-së dhe NATO-s.
Duke promovuar vlerat dhe veçoritë e vendit, Gërvalla para pjesëmarrësve tha se Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Teksa foli edhe për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike.
“Asnjë vend në regjion apo në Evropë, nuk është kaq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në anketimet e fundit, mbështetja ndaj strukturave ndërkombëtare është mbi 90%, kjo është e veçantë, dhe kjo e përfaqëson vullnetin e popullit tonë dhe strategjinë e qeverisë sonë… Jemi duke bashkëpunuar me shumë partnerë të tjerë anë e mbanë botës për të thelluar bashkëpunimin tonë. Ne kemi vendosur raporte zyrtare me mbi 100 shtete dhe shpresojmë që këtë ta bëjmë edhe shtete të tjera. Vendi ynë është duke promovuar raporte të mira me vendet fqinjësore, madje nganjëherë duket edhe më shumë se fqinjësore. Politika jonë e jashtme synon të promovojë bashkëpunimin ekonomik në mes Republikës së Kosovës dhe vendet partnere, dhe investitorët e huaj”, tha Gërvalla.
Drejtori i fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung, Rene Schlee, u shpreh krenar sa i përket bashkëpunimit me akademinë diplomatike, duke theksuar se kjo është hera e shtatë e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të jashtme dhe akademinë diplomatike.
Drejtori po ashtu përmendi kohën e vështirë në të cilët tani gjendet bota për shkak të pandemisë, duke theksuar se nuk tejkalohet kjo situatë e shkaktuar nga COVID-19 pa bashkëpunim regjional dhe ndërkombëtar, pavarësisht dallimeve.
Edicioni i 7-të të Shkollës Diplomatike, organizohet nga Akademia Diplomatike e Kosovës, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacioni “Friedrich Ebert Stiftung”.