Me këngë e valle popullore, u hap Panairi Ndërkombëtar i Turizmit – Kosova 2023 (KIFT) i cili do të mbahet nga data 16-18 mars në sallën “1 Tetori”, në kryeqytet.
Kryetari i Unionit të Turizimit të Kosovës, Baki Hoti është shprehur i lumtur që edhe në Kosovë po mbahet një panair ndërkombëtar me përmasa të tilla.
“Qëllimi kryesor është të bëhet promovimi i turizmit, vlerave e traditave të Kosovës dhe mendoj që kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm, kështu kemi bërë që kjo të arrihet falë bashkëpunimit që duhet ta kemi së bashku me gjitha institucionet dhe partnerët ndërkombëtar me qëllim që Kosova të përfshihet sa më shumë në oferta ballkanike”, tha Hoti.
E para e vendit, Vjosa Osmani tha se Kosova ka potencial të mirë për të zhvilluar turizmin. Osmani theksoi se duhet punuar në këtë aspekt që Kosova të bëhet pjesë e promovimit të turizmit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë.
“Sot turizmi si industri globale krijon vende të shumta të punës dhe të ardhura për qytetarët. Turizmi mund të ndihmojë në kultivimin dhe ruajtjen e traditave dhe kulturave në vendin tonë. Pozita gjeografike e Kosovës krijon një mundësi të mirë për turizëm. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm turistik me bukuritë e saj natyrore. Kosova tashmë nuk është më pak e bukur se vendet tjera që vizitojmë, ka bukuri të jashtëzakonshme, mjafton t’i mbrojmë dhe t’i promovojmë ato si shtet. Ne duhet të punojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë të paketave jo vetëm të ballkanit por edhe të Evropës”, tha Osmani.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen e shumë kompanive në këtë panair. Rama tha se fokusi primar i panairit është promovimi i turizmit të Kosovës, derisa shtoi se vendi është duke përparuar në këtë drejtim.
“Shpresojmë se ky panair do të shërbejë si mundësi eksplorimi për më të mirat që promovon vendin ynë. Fokusi primar i panairit është promovimi i turizmit të Kosovës dhe rritja e kapacitetit të tij. Kosova po përparon në këtë drejtim”, tha Rama.
Në këtë panair po marrin pjesë mbi 200 kompani të ndryshme të turizmit me mbi dhjetë shtete.
Ndryshe ky është edicioni i dytë i panairit ndërkombëtar i turizmit në Kosovë.