Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jerusalem.
Sipas njoftimit, gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, Ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jerusalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së./UBTNews