Grupi Wagner dyshohet nuk po merr më financime nga shteti rus. Kështu supozon shërbimi sekret britanik. Për mercenarët kjo do të thotë: kursime në shpenzimet e personelit.
Deutsche Welle raporton se si pasojë e mungesës së parave Wagner do të duhet të zvogëlojë numrin e mercenarëve.
“Nëse shteti rus ndalon së paguari grupin Wagner, burimi i dytë më i besueshëm i pagave janë autoritetet bjelloruse”, tha Ministria e Mbrojtjes në Londër.
Por kjo do të rëndonte burimet e Bjellorusisë. Mercenarët e grupit Wagner aktualisht po trajnojnë atje ushtarë bjellorusë.
Mercenarët e grupit Wagner ishin për një kohë të gjatë shtyllë e ushtrisë së rregullt ruse në luftën kundër Ukrainës.
Por shefi i mercenarëve Wagner, Jevgeni Prigoshin i ka kritikuar masivisht dhe publikisht udhëheqjen ushtarake ruse dhe ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu duke i akuzuar ata për paaftësi. Në fund të qershorit Prigozhini urdhëroi fillimin e një rebelimi kundër udhëheqësve ushtarakë rusë dhe një marshim drejt Moskës. Pas dy ditësh rebelimi u ndërpre.
Sipas presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, ai ndërmjetësoi midis Prigozhinit dhe presidentit rus Vladimir Putin. Pas kësaj Prigozhini shkoi përkohësisht në mërgim në Bjellorusi. Është e paqartë se ku po qëndron ai aktualisht.
Me kërkesë të qeverisë në Minsk njësitë e mercenarëve të tij, Wagner, po trajnojnë ushtarë bjellorusë në një kamp ushtarak afër kufirit me Poloninë.
Sipas Prigoshinit grupi Wagner u themelua në vitin 2014. Biznesmeni i pasur, i cili dekadën e fundit të ekzistencës së Bashkimit Sovjetik e kaloi në burg për grabitje dhe mashtrim, ka kontrata ushtarake dhe minerare në Afrikë. Mercenarët e tij janë ndër të tjera aktivë në Mali, Siri dhe Libi.