Sindikatat në Belgjikë, të cilat organizojnë nesër një grevë kombëtare, u kanë bërë thirrje punëtorëve të dalin masivisht në rrugë për të protestuar kundër “bllokadës së pagave” dhe problemeve sociale.
Greva kombëtare në Belgjikë do të paralizojë të gjithë vendin, më shumë se 200 fluturime nga aeroporti i Brukselit tashmë janë anuluar, ndërsa nga sonte priten probleme në trafikun hekurudhor.
Sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve nuk arritën një marrëveshje për lëvizjen e pagave dhe shpërndarjen e zarfit social brenda “Grupit të Dhjetëve” të hënën, tha presidenti i Konfederatës së Ndërmarrjeve Belge, Bart de Smet.
Sindikatat tregojnë se refuzojnë “bllokadën e pagave” në këtë periudhë krize dhe veçanërisht theksojnë se marzhet bruto të kompanisë ishin “historikisht të larta” në gjysmën e parë të vitit.
Nga ana tjetër, organizatat e punëdhënësve i referohen një situate dramatike për kompanitë për shkak të indeksimit automatik të aplikuar në Belgjikë, që do të thotë se rritja e pagave vjen pas rritjes së inflacionit.
“Situata po përkeqësohet dita-ditës, kompanitë tona janë në një situatë gjithnjë e më të vështirë dhe të gjitha sinjalet janë të kuqe”, shpjegon Peter Timmermans, drejtor i përgjithshëm i Federatës së Kompanive Belge.
Për shkak të grevës kombëtare të planifikuar për nesër, linjat ajrore kanë anuluar paraprakisht 55 për qind të fluturimeve të planifikuara për të mbërritur ose nisur nga aeroporti i Brukselit, tha zëdhënësja e aeroportit Nathalie Pierrrd të hënën pasdite. Bëhet fjalë për pak më shumë se 200 fluturime.
Bllokuar do të jenë edhe hekurudhat, ndërkaq priten ndërprerje që në mbrëmjen e sotme nga ora 22:00.
Punëtorët e hekurudhave ankohen për “përkeqësimin e kushteve të punës”, mungesën e “punësimit thelbësor për të ruajtur mirëqenien e stafit” dhe bëjnë thirrje për “financim përkatës të misioneve të shërbimit publik”.
Rrjeti i transportit publik në Bruksel do të ndërpritet seriozisht për shkak të një greve kombëtare, ka paralajmëruar kompania e transportit të Brukselit. Prandaj shumë autobusë, tramvaje dhe metro do të qëndrojnë në platforma.