Autoritetet greke ngrinë të hënën asetet e zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian, Eva Kaili, pas arrestimit të saj me akuza për korrupsion që dyshohet se kanë lidhje me Katarin, raportojnë mediat lokale.
Eva Kaili, një nga 14 nënkryetaret e organit legjislativ evropian nga partia e majtë qendrore e Greqisë PASOK-KINAL, u mbajt të premten nga policia belge pasi shtëpia e saj u kontrollua, sipas të përditshmes belge Le Soir.
Sipas transmetuesit publik grek ERT, autoritetet pezulluan gjithashtu “llogaritë bankare, kasafortat, kompanitë dhe pasuritë e tjera financiare” të të afërmve të saj.
Gjithashtu, po ngrihen edhe llogaritë bankare të një kompanie pronash të paluajtshme në Kolonaki, e cila u themelua nga Kaili dhe bashkëshorti i saj, tha ERT.
Katari ka hedhur poshtë akuzat “të pabaza dhe të keqinformuara rëndë” për sjellje të pahijshme që kanë tronditur Parlamentin Evropian.
“Katari kundërshton kategorikisht çdo përpjekje për ta lidhur atë me akuza për sjellje të pahijshme. Çdo lidhje e qeverisë së Katarit me pretendimet e raportuara është e pabazë dhe keqinformuar rëndë”, tha misioni i Dohas në BE në një deklaratë të dielën.
Ai shtoi se shteti i Gjirit “punon përmes angazhimit institucion me institucion dhe vepron në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret ndërkombëtare”.
Deklarata vjen mes raporteve në zhvillim mbi një rast të dyshuar korrupsioni në Parlamentin Evropian që përfshin ryshfet për të tentuar të ndikojë në opinionin e tij.
Të premten, babai i saj u arrestua gjithashtu pasi e gjeti atë në posedim të një sasie të madhe parash në një valixhe, treguan raportet lokale.
Të arrestuarit së bashku me Kailin përfshinin gjithashtu Luca Visentini, sekretar i përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, si dhe Pier Antonio Panzeri, një ish-deputet i S&D nga Italia, i cili kryesoi nënkomisionin e parlamentit për të drejtat e njeriut./AA