Greqia do të qëndrojë në krah të qytetarëve të prekur nga kushtet e rënda të motit, tha të dielën nga Larisa kryeministri Kyriakos Mitsotakis duke shtuar se platforma speciale për të prekurit nga përmbytjet do të hapet sot (e hënë).
Kryeministri grek tha se shqetësimi kryesor është shëndeti publik, duke theksuar se fermerët dhe blegtorët do të dëmshpërblehen plotësisht.
“E di sa e rëndë dhe sa e vështirë është për fermerët që humbën kafshët. Ne duam që këta njerëz të qëndrojnë në vendin e tyre, dhe dua që ata ta dinë se ne do të jemi pranë tyre në çdo hap të këtij procesi”, tha ai, shkruan ANA.
“Dua që të gjithë bashkëqytetarët tanë, pronat e të cilëve u janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë, ta dinë se shteti do të jetë pranë tyre menjëherë, në mënyrë që të kthehen në shtëpitë e tyre me mbështetjen e nevojshme financiare për të mbuluar nevojën për pajisje shtëpiake dhe më pas sigurohen fondet e nevojshme për të riparuar dëmet e lëna pas nga përmbytjet”, shtoi ai.
“Do të na duhet ndihma e BE-së”, tha kryeministri dhe informoi se do të jetë të martën në Strasburg si kreu i një ekipi qeveritar, për të biseduar me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Është një fatkeqësi e cila sigurisht është e lidhur drejtpërdrejt me krizën klimatike dhe një fatkeqësi që kërkon gjithashtu ndihmën e Evropës”.
“Ne kemi shumë opsione të instrumenteve financiare ku Evropa mund të ndihmojë: si fondet bujqësore dhe burimet NSRF, Fondi i Rimëkëmbjes, dhe Fondi i Fatkeqësive Natyrore. Kështu që të gjitha këto do t’i diskutoj me presidenten e Komisionit Evropian dhe jam i sigurt se Europa do të mbështesë financiarisht vendin tonë që taksapaguesi grek të mos përballojë i vetëm koston e madhe të riparimit të dëmeve që la pas stuhia”, shtoi ai.