Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka shkruar grafite te Inspektorati i Punës, Ministria e Financave dhe Transfereve, dhe ATK.
Sipas kësaj OJQ-je që angazhohet për mbrojtjen e grave, aksioni ka pasur të ndodhë mbrëmë, por që nuk është lejuar Policia e Kosovës.
“Atë që nuk arritëm ta mbaronim mbrëmë në ndërtesën e Qeverisë për shkak të ndërhyrjes brutale të Policisë, e përfunduam sonte në institucionet tjera. Dhuna ekonomike ndaj grave e cila veç sa është duke u shtuar përgjatë pandemisë, për fajtorë ka të gjitha institucionet publike. Ato në vend të mbrojtjes së punëtoreve/ëve, po rreshtohen në anën e privatnikut. Largimi nga puna i 1500 grave shtatzëna nga puna përgjatë vitit 2021 është veç alarm i cili po tregon për shtypjen e shumëfishtë që grave iu bëhet në tregun e punës”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.
Sipas njoftimit, ky alarm përveç shpërfaqjes së dhunës sistematike ndaj grave, thërret në organizim e revoltë të grave punëtore, me apo pa kontratë pune.
“Nga çdo hapësirë, ne i themi shtetit që ne duam punë, siguri e mirëqenie, jo subvencionim të riprodhimit”, thuhet në njoftim.