Me qëllim të informimit dhe edukimit të duhur të qytetarëve për çështjet mjedisore, GLPS ka lansuar platformën “Ambientalisti”. Kjo platformë ofron informacion në kohë reale për debatet publike dhe për vendimet që ndikojnë në mjedis apo legjislacion.
Ema Pula nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se dekadën e fundit, mbrojtja e mjedisit nuk është konsideruar si prioritet në Kosovë. Sipas saj, janë marrë shumë vendime arbitrare që kanë ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve dhe kanë degraduar mjedisin.
“Për më tepër, përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse për çështjet mjedisore mbetet në ajër. Mungesa e gjithëpërfshirës në procesin mjedisor është shqetësuese dhe më së shumti si rezultat i hezitimit politik për të përfshirë qytetarët në procese kaq të rëndësishme. Kosova tashmë ballafaqohet me qindra hidrocentrale të jashtëligjshme, gurëthyes, objekte tjera ilegale, të cilat kanë degraduar rëndë mjedisin dhe kanë ndryshuar jetën e njerëzve qe jetojnë pranë tyre. Po ashtu, Kushtetuta e Kosovës parasheh që përgjegjësia për mbrojtjen e mjedisit është e të gjithëve dhe që qytetarëve t’u garantohet përfshirja ne proceset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë, ndërkohë që obligon institucionet publike që të angazhohen për garantimin e kësaj të drejte themelore”, ka thënë ajo.
Megjithatë, Pula shtoi se korniza ligjore nuk siguron mbrojtjen e mjedisit dhe pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje institucionale.
Me qëllim të informimit dhe edukimit të duhur të qytetarëve për çështjet mjedisore, GLPS ka lansuar platformën “Ambientalisti”.
“Do të shërbejë si një ‘one-stop-shop’ për të gjithë ata që janë të interesuar të angazhohen me çështje mjedisore, shoqërinë civile, aktivistët mjedisorë dhe publikun në përgjithësi. Ndër të tjera, platforma ofron informacion në kohë reale për debatet publike të planifikuara apo konsultimet publike në lidhje me vendimet që ndikojnë në mjedis apo legjislacion. Këto informacione ofrohen dhe në formë të kalendarit e që janë më të lehta për t’u përcjellë. Platforma përmban edhe informacionin si vijon: Datat e debateve publike të planifikuara për t’u mbajtur për projekte që ndikojnë në mjedis ose për legjislacion, të cilat do të vendosen në këtë kalendar sipas datave të caktuara. Po ashtu, në këtë kalendar do të vendosen edhe njoftimet për konsultime publike dhe afate kohore”, ka treguar Pula.
Kjo platformë do të përmbajë edhe infografika të ndryshme lidhur me çështjet mjedisore.
“Qëllimi i platformës është që të bëhet një qendër informative për çështjet që kanë të bëjnë me aspektet mjedisore në Kosovë, dhe një vend ku qytetarët dhe komunitetet në mbarë Kosovën mund të informohen rregullisht dhe të inkurajohen për t’u përfshirë. Ambientalisti është i qasshëm në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe. Në të njëjtën kohë, Ambientalistin mund ta gjeni edhe në rrjetet sociale, më saktësisht në Facebook”, ka përfunduar ajo.
Krijimi i platformës “Ambientalisti.info” është mbështetur nga “Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovës” financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile në partneritet me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.