Mbrojtja e Salih Mustafës, avokati Julius Von Bonne ka thënë se një palë e tretë në këtë çështje i ka vështirësuar punën mbrojtjes duke i marrë më shumë kohë. Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes së Mustafës, avokati ka thënë se nuk mund t’i përfundojnë hetimet para verës së këtij viti. Ndërkohë, prokuroria e ka konsideruar të papranueshme kohën e kërkuar nga mbrojtja, duke insistuar që gjykimi të fillojë në muajin mars.
Pas diskutimit në mes të palëve, të cilët nuk u pajtuan rreth kohës se kur duhet të fillojë gjyqi, seanca ka shkuar në pauzë, e pastaj në diskutim të mbyllur në mes të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe mbrojtjes.
“Është çështje e një pale të tretë që është përfshirë që e bënë shumë të vështirë punën e mbrojtjes, kjo na ka marrë shumë kohë, shumë më tepër kohë sesa duhet dhe shpresoj që gjatë këtij muaji me këtë palë të tretë do të kemi një diskutim në mënyrë që mbrojtja të mund të eci përpara, kjo ka qenë një nga çështjet që ka paraqitur vështirësi për mbrojtjen. Vazhdoj të flas në mënyrë të mjegullt këtu sepse nuk dua të hyjë në hollësitë e kësaj çështje, por u siguroj që kjo na i ka bërë punën më të ndërlikuar dhe gjithashtu, në fillim të kësaj çështje mbrojtja nuk kishte mundësi të ecte përpara në hetime”, ka thënë Bonne.
Në seancën e sotme, avokati vazhdimisht ka theksuar se kanë nevojë për disa muaj kohë për të kryer hetimet e tyre, diçka që për Prokurorinë ka qenë e papranueshme.
Pas gushtit, Bonne ka deklaruar si mundësi edhe muajin korrik, për të përfunduar hetime.
“Do të ishte e dobishme që gjykimi të fillojë pasi mbrojtja të ketë përfunduar hetimet e veta, duke pasur parasysh numrin e dëshmitarëve që parashikojmë t’i thërrasim, diku nga korriku, në atë periudhë kohore, ndoshta nuk do të kemi përfunduar plotësisht hetimet tona, por kjo është një kohë e përafërt që mund të jap. Jemi në një presion shumë të madh të dorëzojmë dokumente për protokollim shumë shpejtë e të ecin çështjet përpara, por nuk është balanca e duhur, është shumë e rëndësishme që mbrojtja të ketë kohën që i nevojitet në mënyrë që t’i përfundojë hetimet e veta”, tha ai.
Por, sipas Prokurorisë, ka pasur kohë të mjaftueshme për mbrojtjen që të kryhen hetimet, dhe deri në verë është periudhë e papranueshme për ta.
“Mendoj që ky është një agrumet fals, ne nuk kemi pasur vite, ne kemi punuar për vite, por kemi pasur shumë çështje për të hetuar dhe jo vetëm këtë, detyrimi ynë është ndryshe nga ai i mbrojtjes ne duhet të vërtetojmë çështje përtej dyshimit të arsyeshëm dhe të bëjmë akuza mbi bazën e kësaj, mbrojtja nga ana tjetër e ka çështjen ndryshe, ata kanë një aktakuzë të përcaktuar dhe i jepen materiale dhe duhet t’i përgjigjet asaj çështje”, tha ai.
Sipas ZPS, gjyqi duhet të fillojë sa më shpejtë që të jetë e mundur gjykimi të fillojë sa më shpejtë të jetë e mundur, dhe nëse i ipet kohë shtesë mbrojtjes, atëherë gjyqtari duhet ta bëjë këtë me një vendim.
Në këtë seancë u diskutua edhe mundësia e mbajtjes së seancave për diskutim, në mes të mbrojtjes dhe prokurorisë, në mënyrë që të qartësohen çështjen e dokumenteve që posedojnë.
Konferenca e sotme mbi ecurinë e çështjes është mbyllur tre herë për publikun, e në fund të saj mbrojtja ka deklaruar që ajo e radhës të mbahet pas dy muajsh, meqë sipas tij, deri atëherë do të dinë qartë rrjedhën e hetimeve, ndërsa sipas prokurorisë nuk ka nevojë të mbahet një e tillë, por nëse këtë e cakton gjyqtari, ZPS kërkoi që të mbahet jo më vonë se fundi i muajit shkurt.