Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se të premten më 4 gusht do ta mbajë seancën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit. Seanca do të mbahet në ora 11:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.
Përndryshe sot është zhvilluar seanca gjyqësore për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit. Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, ka kërkuar burg të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.
Në këtë seancë fjalën përfundimtare e dha prokurori i rastit, Valdet Avdiu, i cili ka bërë një përmbledhje nga seancat e kaluara, dëshmitarët dhe provat.
Pas tij, fjalën përfundimtare e pati avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi, i cili ka kërkuar që të akuzuarit Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu të dënohen me burgim të përjetshëm. Rexhepi ka thënë se deklaratat e Sejdiut nuk përputhen me provat e gjetura në vendin e ngjarjes ku u vra dhe u dhunua Marigona Osmani. Avokati theksoi se në video-incizimet e siguruara pamjet janë të tmerrshme.