Nga një muaj paraburgim iu është caktuar oficerit doganor dhe menaxherit të një qendre skijimi në Brezovicë të cilët u arrestuan gjatë aksionit “Brezovica 3”.
Gjykata Themelore në Ferizaj thotë se N.G dhe S.I dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘marrja e ryshfetit’.
“N.G. i dyshuar për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit në ndihmë nga neni 428 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. S.I. i dyshuar për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit në ndihmë nga neni 428 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë. Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. Ndërsa Dogana e Kosovës, të enjten njoftoi se është suspenduar doganieri i arrestuar.