Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, vullnetaret e organizatës YMCA në Gjakovë kanë mbajtur seancë plenare për të drejtat e vajzave. Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka folur para vullnetarëve për të drejtën në pronë dhe sigurinë e vajzave në rrugë.
Kryetari Gjini tha se shoqëria civile është esenciale në demokraci. Po ashtu, ka theksuar se vajzat duhet të insistojnë mbi të drejtën në pronë.
“Mendim i gabueshëm është që të thuhet se vajzat nuk kanë të drejtë në pronë. Si vajza dhe gra, prona është në praktikë më e rëndësishme se gjithçka tjetër, tjerat janë çështje që i rregullojmë si shoqëri. Me garu në politikë, i mbërrijnë, sepse e kemi mësuar. Mirëpo, kur po shkojmë te prona atëherë ka rezistencë. Nuk keni çka të luftoni me mu, por duhet të luftoni me familjen. Familja e jep të drejtën e pronës. Nuk është luftë, por synim dhe insistim, argumentim i pastër. Çfarë do që bëjmë gratë nuk do të jenë të barabarta nëse nuk kanë të drejtë në pronë”, ka deklaruar Gjini.
Po ashtu, ai është pyetur edhe për sigurinë e vajzave në rrugë, ku Gjini theksoi se vendimet e komunës po merren krahas sigurisë së qytetarëve ne Gjakovë.
Në rolin e kryetares, vullnetarja Sara Deda ka pyetur kryetarin Ardian Gjini për veprimet që janë duke marrë që vajzat të jenë të sigurta në rrugë. I pari i Gjakovës u shpreh se vendimet e komunës po merren krahas sigurisë së të gjithë qytetarëve.
“Si komunë, praktikisht e kemi të zorshme të ndajmë sigurinë e vajzave me djemtë. Vendosim ndriçimin, komunikojmë me shkollat, komunikojmë me policinë që fëmijë dhe të rritur që jenë më të sigurt. Te vajzat mundemi me rrit sigurinë dhe nuk mund të zgjidhet me një vendim apo politikë”, ka shtuar ai.