Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane.
Opozita (PDK, LVV, Nisma, Vatra), e cila dje e braktisi seancën shkaku i këtij vendimi, pas insistimit që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, nuk mori pjesë as sot në seancë.
Festa Shabani tha se ndërtimi i administratës komunale është një projekt i shkëlqyeshëm dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos përkrahet, meqë realisht e lehtëson jetën e qytetarëve të Gjilanit, të cilët për një dokument duhet të bëjnë 3-4 kilometra rrugë nëpër qytet, duke u endur nëpër qendra të ndryshme, meqë administrata është e shpërndarë në disa objekte.
“E di se edhe qytetarët janë të interesuar për të marrë shërbime në një administratë të vetme dhe për t`u zgjeruar sheshi, siç parashihet te pika 2 e këtij vendimi”, ka thënë Shabani, thuhet në komunikatën për media nga Komuna e Gjilanit.
Shabani tha se nuk pajtohet me pikën ku thuhet se rrënohet objekti i policisë dhe pjesa e burgut dhe si kusht për ta votuar, kërkoi që te vendimi të bëhet një riformulim në formë të shkruar, ku thuhet se ruhet dhe konservohet një pjesë e burgut, pjesa që ka të bëjë me dhomat e burgut, që shpërfaq një histori nga e kaluara jonë.
Edhe Arta Haziri (AAK) tha se i mbështet projektet e mëdha që janë në interes të qytetarëve të Gjilanit, por pa e përfshirë rrënimin e tërësishëm të objektit të burgut, që shpërfaq gjurmë historike nga e kaluara e popullit shqiptar, i cili këtu ka përjetuar tortura gjatë okupimit serb.
Drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami tha se dekorohet me propozimet për ta riformuluar vendimin dhe sqaroi se projekti për ndërtimin e administratës së re, në të vërtetë e përfshin edhe konservimin e burgut.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini konstatoi se ky vendim hidhet në votim me plotësimin, ku thuhet se ruhet ose konservohet një pjesë e rëndësishme e burgut të Gjilanit, i cili tregon histori nga e kaluara e popullit shqiptar, veçanërisht dhomat e burgut.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe memorandumin e mirëkuptimit në mes të Komunave Gjilan, Kamenicë e Viti dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Gjilan, derisa kërkesën për zëvendësime në Komitetin për Bashkëpunim Ndërkufitar dhe Komitetin për Kulturë, Rini dhe Sport i shtyu për seancën tjetër, meqë përfaqësuesi i subjektit Vatra, nuk ishte i pranishëm në seancë për të dhënë arsyetimin.