Mbetje mortore janë gjetur sot në varrezat e qytetit të Gjakovës, të cilat janë me lokacion në lagjen e Brekocit ku janë të varrosur dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë. Në afërsi të këtyre mbetjeve sipas Policisë së Kosovës, Drejtoria Rajonale në Gjakovë, është gjetur edhe një uniformë ushtarake me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në varrezat e qytetit në lagjen e Brekocit në Gjakovë ishte gërmuar edhe më herët, e nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit është konfirmuar se në këtë lokacion do të kryhen sërish gërmime.
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, major Milazim Lumi, ka dhënë detaje se si është ardhur deri te gjetja e këtyre mbetjeve mortore. Ai bëri të ditur se mbetjet mortore janë gjetur nga mirëmbajtësit e varrezave, të cilët kanë qenë duke hapur një varr e që më pastaj kanë njoftuar Policinë e Kosovës. Lumi tha se në afërsi të mbetjeve mortore është gjetur një uniformë ushtarake me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot rreth orës 10:30 punëtorët e kompanisë Çabrati këtu në varrezat e qytetit në Gjakovë, konkretisht në afërsi të varrezave të dëshmorëve gjatë hapjes së një varri për një rast të vdekjes së një qytetari të Gjakovës kanë hasur në mbetje mortore, të cilët menjëherë posa kanë hasur në ato mbetje mortore kanë njoftuar policinë. Ne pastaj kemi ardhur me shpejtësi në vend të ngjarjes, fillimisht kemi pa vendin e ngjarjes dhe kemi vendosur shiritat dhe kemi lokalizuar vendin e ngjarjes, pastaj kemi njoftuar ekipet relevante të cilat do të merren më tutje. Realisht, këtu kemi të bëjmë me mbetje mortore, të cilat llogaritet të jenë të kohës së pasluftës ose të luftës dhe kemi një mbetje mortore, në afërsi të kësaj mbetje mortore është një uniformë ushtarake me emblemën e UÇK-së”, tha ai.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se mbetjet mortore nuk janë dëmtuar gjatë hapjes së varrit nga mirëmbajtësit e varrezave.
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, ka thënë për KosovaPress se në këtë lokacion është gërmuar edhe më herët dhe se në të njëjtin lokacion do të kthehen sërish për të kryer gërmime.
“Lokacioni në fjalë është një nga lokacionet e trajtuar edhe më parë. E kam fjalën për varrezat e Brekocit në Gjakovë. Ky lokacion është trajtuar edhe më parë. Sigurisht që është pjesë e agjendës dhe ne besojmë që do të kthehemi në këtë lokacion për të proceduar tutje në kuptimin e gërmimit vlerësues dhe zhvarrosjes së eshtrave që mund të jenë në këtë lokacion. Ajo që është me rëndësi të theksohet për momentin është që informata është ndarë nga qytetari, përkatësisht nga mirëmbajtësi që ka hasur në eshtra”, tha ai.
Pas marrjes së informacioneve se në këtë vend janë gjetur mbetje mortore, ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore është nisur për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se presin tërheqjen e trupit dhe sjelljen e tij në Institutin e Mjekësisë ligjore ku më pas do të vazhdojnë me procedura të tjera deri tek identifikimi i atyre mbetjeve mortore.
“Bëhet fjalë për gjetje të rastësishme të pjesëve kockore me një trup të veshur me uniformë. Ashtu siç ka deklaruar Policia e Gjakovës. Edhe presim tërheqjen e trupit dhe sjelljen e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku pastaj do t’i bëhet edhe ekzaminimi antropologjik dhe më pas edhe identifikimi përmes ADN-së”, tha ai.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, ka një lutje për të gjithë qytetarët e vendit, të cilët mund të hasin në mbetje mortore.
“Për të gjithë qytetarët që mund të hasin në eshtra, që mund të jenë me rroba, me veshmbathje ose me artefakte të mos i prekin, të mos i lëvizin, por t’i njoftojnë institucionet kompetente, në këtë rast Komisionin Qeveritar si dhe sektorin e Policisë për krime lufte. Sigurisht që ne si institucione do të veprojmë kuptohet duke bërë përpjekje që këto raste të trajtohen me prioritet të veçantë, duke e pasur parasysh edhe atë pritjen, ankthin e familjes dhe përpjekjen e vazhdueshme institucionale që këto familje të dinë sa më parë fatin e më të dashurve të tyre”, tha ai.