Qeveria gjermane po planifikon të legalizojë shitjen dhe konsumimin e kanabisit dhe sipas planeve të paraqitura sot në Berlin, duhet të lejohet një sasi deri në 30 gram.
“Në të ardhmen, të rriturit do të lejohen të blejnë dhe posedojnë sasi deri në 30 gram kanabis dhe në një masë të kufizuar do të lejohet edhe kultivimi për përdorim personal”, tha ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, gjatë prezantimit të projektligjit.
Projektligji parashikon më tej shitjen e kanabisit “për qejf” në dyqane të specializuara të autorizuara dhe më pas në farmaci. Shitjet do të lejohen vetëm për të rriturit.
Sipas ministrit socialdemokrat Lauterbach, qëllimi i nismës legjislative të qeverisë federale është të shtypë tregun e paligjshëm.
“Numri i përdoruesve dhe sasia e THC në kanabisin ilegal po rritet. Qeveria dëshiron të shtypë tregun e zi dhe të dekriminalizojë skenën e kanabisit, gjë që mund të kontribuojë në mbrojtjen më të mirë të të rinjve dhe fëmijëve”, tha Lauterbach.
Ai tha se projektligji fillimisht i është dërguar Komisionit Evropian, i cili duhet të kontrollojë nëse ky ligj bie ndesh me acquis të BE-së.
Nëse rezulton se me miratimin e ligjit, Gjermania mund të rrezikojë një padi përpara Gjykatës Evropiane, ligji do të ndryshojë. Deri më tani, vetëm pacientët e sëmurë rëndë kishin qasje legale në kanabis në Gjermani.
“Ne po prezantojmë furnizimin e kontrolluar të kanabisit për të rriturit për qëllime rekreative në dyqane të licencuara”, thotë marrëveshja e koalicionit të qeverisë së re gjermane të përbërë nga socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët. Ideja është të bëhet marihuana me cilësi të lartë, të mbrohen konsumatorët dhe të shuhet tregu i zi.
Sipas Shoqatës Gjermane për Promovimin e Kërpit, kanabisi i shitur në rrugë vitet e fundit është përzier gjithnjë e më shumë me rërë, sheqer, qelq dhe erëza. Ose spërkatet me substanca sintetike që intensifikojnë me dhunë ndikimin e THC, duke çuar në psikoza të menjëhershme ose kolaps të sistemit të qarkullimit të gjakut.
Përkrahësit e legalizimit thonë se marihuana e pastër, me një përqindje të përcaktuar saktësisht të THC, do të reduktonte ndjeshëm rreziqet dhe se të rinjtë do të mund të flisnin më hapur për kanabisin në shkollë dhe në shtëpi.