Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha para se të nis të shpalos projektet dhe planin për buxhetin e vitit 2023 ka shprehur ngushëllime për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë që ka ndodhur mbrëmë para Klinikës së Gjinekologjisë.
Këto komente ajo i bëri gjatë raportimit para Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ku po mbahet seanca dëgjimore për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Gexha-Bunjaku tha se për vitin 2023 ka rritje të buxhetit prej 27.62%. Ajo tha se për listën e barnave esenciale është rritur buxheti për 89%, pasi janë ndarë 21 milionë euro për këtë çështje. Ajo shtoi se do te rrisin investimet kapitale dhe po ashtu numrin e inspektorëve edhe për rreth 40 inspektorë me qëllim që të shumëfishohen inspektimet.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu tha se buxheti për viti 2023 është 10 milionë më tepër me thekst të veçantë ka rritje të buxhetit për listën e barnave esenciale. Ajo tha se modernizimi i hapësirave dhe funksionalizimi i tyre është synimi i ShSKUK-së për vitin 2023.
Derisa si projekt ajo përmendi bunkerin për aksilerator-infeksione dhe spitalin ditor. Sipas saj, risi është funskionalizimi i shërbimit të IVF-së dhe aktvizimi i njësisë spinale, si shërbime të reja që nuk janë ofruar në institucionet shëndetësore publike.
Sa i takon rezonancave magnetike ajo tha se në vitin e ardhshëm synojnë funksionalizimin e këtyre aparaturave, por problem Zejnullahu theksoi trajnimin e profesionistëve.