UBT News

​Gërvalla: Masat e BE-së të panevojshme dhe mesazh i rrezikshëm

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian karshi Kosovës i ka quajtur të panevojshme. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për bllokim të fondeve të BE-së, por për suspendim të përkohshëm.

E para e diplomacisë kosovare u shpreh se mesazhet e tilla janë të rrezikshme dhe mund t’i krijojnë përshtypjen presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se mund të vazhdojë destabilizimin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Këto komente Gërvalla i bëri pas ceremonisë së hapjes së fushatës “Festo me zemër e jo me armë”, të organizuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Masat që janë ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për deeskalim të gjendjes në veri të Kosovës, janë masa të cilat BE i sheh si të arsyeshme. Ne mendojmë se masat e tilla janë të panevojshme për shkak se është e rëndësishme që në një situatë të tillë në të cilën ndodhemi mesazhi t’i dërgohet qartë dhe pa asnjë mundësi për keqkuptim atyre që i kanë krijuar trazirat në pjesën veriore të Kosovës. Personalisht mendoj se mesazhet e tilla janë të rrezikshme sepse mund të krijojnë përshtypjen tek presidenti serb, Vuçiq se mund të vazhdojë me të njëjtën mënyrë të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por dhe të gjithë fqinjët që ka rreth e rrotull”, theksoi ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla konsideron se këto masa nënkuptojnë suspendim të përkohshëm të fondeve të BE-së e jo bllokim.

“Nuk ka bllokim të fondeve, ka suspendim të përkohshëm të fondeve dhe BE e ka bërë të qartë që këto janë masa të cilat janë për momentin dhe të cilat janë natyrisht të rikthyeshme”, tha ajo.

E pyetur se a ka pasur koordin me SHBA-të për shpalljen e“Mbrojtjes Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste, ajo nuk deshi të flas në këtë aspekt, por tha se organizatat që ushtrojnë terror mbi qytetarët dhe institucionet nuk kanë vend në Kosovë.

“Baza ligjore është aty edhe ne mendojmë se asnjë organizatë terroriste e çfarëdo prejardhje etnike apo çfarëdolloj përbërje kriminale të ketë nuk duhet të lejohet të veprojë në Republikën e Kosovës. Ne jemi zotuar për sundim të ligjit në çdo cep të vendit dhe aty organizatat që ushtrojnë terror ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës nuk kanë vend”, u shpreh ministrja Gërvalla.

E gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës, “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” janë shpallur organizata terroriste. Për këtë vendim kanë votuar pro i gjithë kabineti qeveritar, në përjashtim të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.

Ndërsa, karshi këtij vendimi ka reaguar Departamenti i Shtetit Amerika të cilët thanë se ky vendim është ndërmarrë nga ekzekutivi kosovar pa koordinim me ta.

E Komisioni Evropian ka paralajmëruar një numër masash kundër Kosovës dhe ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

Ndërsa, dy ditë pasi Komisioni Evropian i prezantoi Parlamentit Evropian masat ndëshkuese për Kosovën, kryeministri Albin Kurti paraqiti në Prishtinë një plan 8-pikësh për “shtensionimin e situatës në veri të vendit”.

Exit mobile version