Drejtues të Komunës së Prishtinës dhe Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, u kanë bërë thirrje bizneseve në kryeqytet që të aplikojnë për pajisje të matjes së zhurmës, në të kundërtën do të nisin me fazën e gjobave të cilat fillojnë nga vlera minimale 500 euro dhe shkojnë tek në 5 mijë euro.
Në një konferencë për media u tha se janë rreth 11 përqind të gastronomëve në Prishtinë, të cilët duhet të pajisen me censorët e zhurmës, derisa kanë afat për të aplikuar edhe 14 ditë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se i kanë përfunduar diskutimet për rregulloren e cila përcaktohet orari i punës në sektorin e gastronomisë, si dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë.
“Për herë të parë në kryeqytet në fund kemi filluar të krijojmë kushte për bashkëjetesë të banorëve dhe këtij sektori tepër të rëndësishëm për kryeqytetin. Obligimet e gastronomisë sipas rregullores të miratuar nga Kuvendi i kryeqytetit janë të qarta. Këtë konferencë e kam thirr që të bëjë thirrjen e fundit për sektorin e gastronomisë për aplikimin për pajisje komform rregullores së miratuar në konsultim të plotë me përfaqësuesit e gastronomëve. Edhe pse afati për aplikim ka skaduar, kam shpreh gatishmërinë vullnet që të zgjasë afatin për aplikim për pajisje edhe për 14 ditë. Në rast të dështimit të respektimit të kësaj rregullore, institucioni i kryeqytetit do të fillojë me fazën e ndëshkimeve të gjobave të cilat fillojnë nga vlera minimale prej 500 euro dhe shkojnë tek vlera maksimale prej 5 mijë euro. Në rast të shkeljeve të përsëritura, inspektoriati do të pezullojë veprimtarinë e subjektit afarist deri në tetë ditë, andaj ftoj pronarët e lokaleve të gastronomisë që të aplikojnë sa më parë dhe të pajisen me certifikatën për muzikë dhe për vendosjen e censorëve”, tha ai, duke falënderuar të gjithë ata gastronomët që kanë aplikuar.
Ai foli edhe për numrin e vogël të gastronomëve që kanë aplikuar në kohën e rregullt dhe arsyen pse kanë vendosur të shtyejnë afatin edhe për 14 ditë.
“Me përqindje të vogël, ndoshta 12 përqind prej të gjithë atyre që kanë mundur të aplikojnë, për këtë arsye kemi shpreh mundësi që të aplikojnë edhe tjerët sepse nuk është ideja që t’i ndëshkojmë bizneset, ideja është që të krijojmë ambient të mirëfilltë edhe për rezidentë, edhe për gastronomët”, tha ai.
Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha se ata si shoqatë kanë ardhur me propozime për shtyrjen e afatit.
“Rrjedhimisht po kanë ndoshta paqartësi të caktuara sepse nuk po dinë, po mendojnë që çdokush që organizon ndeja është subjekt që kualifikohet për t’u paisur me censorë. Ne i kemi parë dhe diskutuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës për shqetësimet tona dhe e kemi parë që ka ndoshta edhe vonesë të aplikimeve dhe fazat janë pak si të gjata dhe për këtë arsye jemi duke tentuar që të bëjmë një zgjidhje që të jemi sa më afër bizneseve që t’i informojmë për kualifikimin e rregullores por edhe atë se duhet ta zbatojnë ligjin kur hynë në fuqi dhe për këtë po kërkojmë ta kemi një konsensus të përgjithshëm”, tha ai.
Sipas tij, janë rreth 11 përqind i bizneseve që duhet të pajisen me censorë por nuk është numri i kënaqeshim i atyre që kanë aplikuar.
Drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi për ata që nuk pajisen me censorë, organet komunale tashmë kanë bazë ligjore për shqiptimin e gjobave, gjë që nuk është qëllimi i tyre.
“Bëjmë thirrje edhe një herë të aplikojnë dhe të pajisen me këto pajisje për matjen e zhurmës, përndryshe sigurisht që ne tashme kemi një bazë të mjaftueshme juridike për të filluar me shqiptimin e gjobave, por thjesht ky nuk është qëllimi i organeve komunale, por qëllimi edhe i kryetarit Rama është që të bëhet një zgjidhje e balancuar në mes ankesave të qytetarëve dhe nevojave të gastronomisë”, tha Dushi.