UBT News

​Gashi: Vota për buxhetin sot është votë për shtetin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po e quan votë për shtetin miratimin e buxhetit për vitin 2021. Duke konsideruar se stabiliteti financiar i vendit është interes nacional, partia e cila është në pushtet kërkoi unitet dhe konsensus ndërmjet partive parlamentare për ta votuar buxhetin dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

Iniciuesi i kësaj seance të jashtëzakonshme, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se në këtë situatë që gjendet vendi, është e rrezikshme të mos miratohet buxheti për vitin 2021.

“Vota për buxhetin sot është votë për shtetin, vota kundër buxhetit nuk është votë kundër qeverisë Hoti, sepse verdiktin për këtë e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Vota kundër është thjeshtë kundër buxhetit të Republikës dhe pro krizës”, tha ai.

Gashi propozoi që të bëhet shmangia nga rregullorja për të votuar projekt-buxhetin dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

“Duke pas parasysh se çfarë situate gjendemi është jashtëzakonisht me rëndësi që vendi të ketë buxhet. Të ketë buxhet që institucionet themelore të shtetit të funksionojnë edhe në momentin kur Kuvendi shpërndahet. Ne sot nuk duhet të shihemi si pozitë dhe opozitë, sepse pozita dhe opozita sot nuk ekzistojnë. Ne nuk duhet të shihemi sot si qeveri dhe Kuvend se qeveria dhe Kuvendi nuk ekzistojnë. Ne duhet të shihemi sot si përfaqësues të popullit dhe interesave të tyre dhe vetëm kaq. Ne duhet sot të japim sinjalin e bashkimit dhe çojmë mesazhin se për interesa shtetërore jemi të angazhuar dhe bashkuar”, tha ai.

Seanca e jashtëzakonshme për miratimin e buxhetit dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare është duke vazhduar.

Exit mobile version