Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në seancën e sotme për gjendjen në veri të vendit, ka bërë thirrje që Kosova të ruhet nga Rusia, Serbia dhe siç u shpreh “budallakia”, e kryeministrit. Ai tha se tensionet në veri janë në favor të Rusisë dhe Serbisë.
“Tensionet në veri janë në favor të Serbisë dhe Rusisë, Kosova e meriton kthimin e sovranitetit në veri Kosova e arrin këtë vetëm me aleatët e saj. Ta ruajmë Kosovën nga spektaklet popullsitë sepse është atdheu ynë ta ruajmë Kosovën nga Serbia, Rusia dhe budallakia e kryeministrit. Kosova nuk i ka borxh askujt”, tha ai.
Teksa Gashi e ka quajtur skandaloz fjalorin e Kurtit karshi sekretarit amerikan, Antony Blinken, deklaroi se në rrafshin ndërkombëtar Kurti vetëm po mashtron dhe po dëmton raportet e Kosovës me aleatët e saj.
“Në rrafshin ndërkombëtar dhe në krejt këtë rrugëtim kryeministri mashtron, dëmton raportet e Kosovës me aleatët e saj, çfarë rezultati është ky. Ky veç rezultat i mirë nuk mund të quhet. Çdo krizë e ka ushqyer e ka përdorur për interes të pushtetit pavarësisht dëmit që ia ka shkaktuar shtetit. Tani çka e keni ndërmend t’u ofrosh kundërshtarëve të shtetit të Kosovës. Deri ku shkon ti a jeni të vetëdijshëm se pasuria më e madhe e Kosovës është raport me SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi vlerësoi se qeveria Kurti po e përmbush objektivin e Serbisë për largimin e Kosovës nga aleatët e saj.
“Një objektiv e ka pasur Serbia, largimin e Kosovës nga aleatët e saj tradicional dhe atë objektiv po ia realizon ti. Kur veprimet tuaja të shpijnë në përmbushjen e këtij objektivi serb si mendon se do të gjykoj historia ty….Çka të duhet pushteti kur e dëmton shtetin, çka të duhet vullneti i qytetarëve të Kosovës ka qenë dhe mbetet marrëdhënie të ngushta me partnerët strategjik perëndimor e nëse ju e keni qëllim që ta përmbysni këtë vullnet atëherë mendoj se qenia jonë politike shtetërore është në rrezik dhe me tërë qenien tonë nuk do ta lejojmë”, theksoi ai.
Gjatë këtij fjalimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Gashi u shpreh se për situatën në komunat veriore vetëm Qeveria e Kosovës nuk po i bën detyrat e veta.