UBT News

​Gashi: Mospërgjigjet e Kurtit janë shkelje e Kushtetutës

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka reaguar pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk iu është përgjigjur pyetjeve të opozitës, pasi këta të fundit nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Gashi tha se veprimet e Kurtit janë shkelje e Kushtetutës. Sipas tij, sjellja e sotme e qeverisë është “gur i keq” për demokracinë e vendit.

“Sjellja e sotme e qeverisë është momentum i ri dhe një gur i keq për demokracinë në Kosovë… Për ne kjo është e papranueshme, është cenim i demokracisë, dhe është shkelje e rëndë, është rrezik i paparë deri më sot në Kosovë. Prandaj, ne vlerësojmë se kjo që po bënë sot kryeministri është një nivel i ri i rrezikimit të demokracisë në Kosovë, ne nuk mund ta tolerojmë një sjellje të tillë”, tha Gashi.

I pyetur nëse do të marr pjesë në seancat tjera, Gashi tha se deputetët do të jenë aty ku e kanë vendin, porse kjo e sotit ishte për shkak të sjelljes arrogante të qeverisë. Gashi ka ritheksuar sërish që qeveria nuk i ka numrat të qeverisë, dhe sa më parë duhet të gjejë një zgjidhje për këtë.

“Patjetër se do të marrim pjesë. Parlamenti është aty ku kanë vendin deputetët, është sot në formë demonstrimit, me sjelljen arrogante të qeverisë… Qeveria nuk i ka numrat të qeverisë dhe që katër seanca nuk mund të kalojë asnjë vendim. E ka për detyrë qeveria të qeverisë, nuk e ka për detyrë opozita ta rrezojë qeverinë. Qeveria e ka për detyrë të qeverisë vendin, të nxjerrë ligje, të marrë dhe të aprovojë vendime. Problemi që ka sot Kosova është se Qeveria e paaftë të qeverisë, prej 69 deputeteve sa ka pas, sot s’ka as 61, ky është problemi”, shtoi Gashi.

Mes tjerash, Gashi tha se është çështje e qeverisë nëse e zgjerojnë koalicionin për të gjetur zgjidhje nëse duan të qeverisin.

“Dje kam thënë, vendi është në krizë me dy situata të vërteta. E para është se Qeveria nuk i ka numrat për të qeverise dhe është shumë vështirë. I duhen muaj të tërë për t’i mbledhë 61 deputetë të votojnë pastaj 50 gjana, që nuk është zhvillim normal demokratik. Opozita nuk i ka numrat të rrezojë qeverinë… Ose të gjejnë zgjidhje si të qeverisin, është çështje e tyre a e zgjerojnë koalicionin, ose ulet me partitë politike dhe i diskuton disa tema që janë në interes nacional dhe duhet të votohet”, tha Gashi.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti kur pati thënë se nëse vendi shkon në zgjidhje, zhduket opozita.

“Ani more le të zhduket. Nëse vullneti i qytetarëve të Kosovës është që të zhduket dikush nga skena politike, le të zhduket. Kjo është demokracia, por problemi është tek mentaliteti, mënyra e të menduarit e kryeministrit Kurti. Pra, ai në vetëdijen e tij e ka zhdukjen e kundërshtarit, kjo nuk i duhet Kosovës. Sot i ka bërë katër vjet qeverisje, cili është rezultati i këtij pushteti”, përfundoi Gashi.

Sot gjatë seancës, kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet parlamentare të deputetëve të opozitës. Kurti i ka thënë opozitës që nëse duan përgjigje nga ai, duhet t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë duke u bartur nga seanca në seancë.

Exit mobile version