UBT News

​Gashi-Kurtit: Arritët ta largoni Kosovën nga marrëveshja finale

Partitë opozitare në Kuvend e kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë të informimit rreth procesit të dialogut dhe planit të njohur si franko-gjerman. Sipas tyre, Kurti është larg atyre që ka deklaruar në të kaluarën.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se Kosova sot ka më pak sovranitet në veri të vendit çka sipas tij kjo situatë është e disfavorshme për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti të tregojë se cila do të jetë perspektiva e Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjes bazuar në planin franko-gjerman.

“Sa i përket planit franko-gjerman, nuk ka dyshim që ky është produkt i një realiteti të krijuar pra në këtë dialog në këto bisedime, pra për dy vjet radhazi sot e kemi një dokument që para dy viteve apo para një viti nuk e kemi pasur, pra kryeministri na e tha një kronologji të ngjarjeve se si është prezantuar ky plan dhe pastaj cilat kanë qenë intervenimet e tij mirëpo prap po kërkoj edhe njëherë që të na e thotë kryeministri a pasur ndonjë çështje që është propozuar nga kryeministri a ka pasur ndonjë çështje që është propozuar më herët gjatë atyre raundeve të bisedimeve e cila është përfshirë pikërisht pra në këtë plan. Mua më intereson të di më shumë ky plani franko-gjerman a është produkt i këtyre bisedimeve dy vjeçare”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se Kurti e ka larguar Kosovën nga marrëveshja finale me Serbinë për shkak të veprimeve të tij.

“Në kërkim të tradhtisë nga paraardhësit e tij u shndërrua në një ndjekës të rrugës së tyre, pra ju kryeministër pa koordinim me miqtë tanë e për spektakël populist marrëveshjen e targave e paraqitet si gjithçka, por në fund arritët ta largoni Kosovën nga marrëveshja finale dhe sot po diskutoni për diçka tjetër, pra në emër të sovranitetit, ju dëmtuat sovranitetin në veri, aq sa nuk ishit në gjendje që edhe kriminelin e arrestuar ta sillni deri në Prishtinë. Lënduat raportet me miqtë ndërkombëtarë dhe krijuar situatë tepër të favorshëm për Serbinë duke i bërë kështu favor të madh Serbisë dhe Rusisë”, ka thënë Gashi.

Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se gjatë këtyre dy viteve ka pasur keqmenaxhim dhe jo transparencë nga kryeministri Kurti.

“Fatkeqësia më e madhe është fakti që ju përgjatë këtyre viteve edhe më herët e keni ndërruar kursin aq shpesh dhe keni shfaqur jo qëndrueshmëri në këtë proces në emër të Kosovës. Në rasti nëm ë të mirë i keni humbur shumë kohë Kosovës dhe partnerëve të saj në krye me ShBA-në. Në rasti tjetër e keni profilizuar lidershipin e shtetit që ju e përfaqësoni me 51% me pozicionimin e Kosovës si palë jo kredibile në dialog, e jo kredibiliteti është fatura më e shtrenjtë në rrafshin ndërkombëtar, veçanërisht në temën që po flasim”, ka thënë Tahiri.

Exit mobile version