Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka apeluar tek të gjitha subjektet politike garuese në zgjedhje e parakohshme që gjatë fushatës e cila fillon nesër, të zbatojnë rekomandimet dhe respektojnë masat kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimet për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Sipas kësaj organizate, zbatimi i masave anti COVID është i domosdoshëm dhe i detyrueshëm.
“Çdo veprim tjetër në kundërshtim me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimeve në fuqi për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 mbeten përgjegjësi e liderëve të këtyre subjekteve, kurse në anën tjetër bëhet barrë e institucioneve shëndetësore gjegjësisht punëtorëve shëndetësor të cilët po i bëjnë një vit duke u marr intenzivisht me trajtimin e qytetarëve të infektuar me COVID-19. Mosrespektimi i masave nënkupton rritjen e numrit të infektuarve si pasojë edhe rritjen e numrit të vdekjeve, mos u bëni shkaktar të kësaj të keqeje sepse populli do ju ndëshkoj, të gjithëve pa përjashtim”, thuhet në komunikatë.
FSSHK kërkon nga subjektet politike që në tubimet e tyre për shpalosje të programeve ta kenë prioritet marrjen e masave për prandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.