UBT News

​FSShK kërkon nga Kurti të reflektojë përballë kërkesës për rritje të pagave

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi plotësimin e kërkesave për rritjen e pagave 50% deri në miratimin e Ligjit të Pagave dhe pjesëmarrjen në grupin punues për hartimin e këtij ligji, duke thënë se në të kundërtën do të pasojnë veprimet sindikale.

FSShK përmes një komunikate ka thënë se është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të reflektojë përballë kërkesave të tyre.

“Gjendja e punëtorëve shëndetësorë është duke u përkeqësuar ditë për ditë, nuk kemi mjete dhe kushte për punë. Dita-ditës mjekët dhe infermierët po e lëshojnë Kosovën dhe sistemin publik. Ju lutemi të reflektoni në dy kërkesat e mëparshme: rritjen e pagave 50% deri në miratimin e Ligjit të Pagave, pjesëmarrjen në grupin punues për hartimin e Ligjit të Pagave. Kryeministër, pa dashur ta zgjas më shumë, gjendja e popullatës dhe punëtorëve shëndetësorë është shumë e keqe gjë që faktohet në pritjet që duhet të bëhen, andaj intervenimi Juaj duhet të jetë i shpejtë dhe konkret. Çdo pasojë e mosveprimit adresën e ka te Qeveria juaj”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version