UBT News

​FSK shpall ushtarin më të mirë të vitit 2023

Forca e Sigurisë së Kosovës, sot, në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj ka përmbyllur garën ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2023”, me ç’rast më i miri është shpallur Armend Neziri. Ndërsa nënoficeri nga Kroacia OR4 Marijan Jelic është shpallur ushtari më i mirë ndërkombëtar, i përcjellë nga OR4 Marin Volarevic dhe OR4 Eugen Zoric gjithashtu nga Kroacia.

“Gara “Ushtari më i mirë 2023” është realizuar nga data 24-28.2023, me pjesëmarrjen e ekipeve partnere, FSK-së dhe vendeve të rajonit. Sot në ceremoninë përmbyllëse janë shpallur rezultatet e kësaj gare ku me këtë rast, OR3 Armend Neziri është shpallur ushtari më i mirë 2023 nga FSK-ja për vitin 2023 dhe pas tij u radhitën OR2 Sead Veseli dhe OR2 Arsim Jashari. Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Jeton Dreshaj, Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneral brigade Stephan Osborn, zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, Kolonel Skender Hoxha, oficer e nënoficerë të FSK-së, dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe të regjionit”, ka bërë të ditur FSK përmes Facbook-ut.

Gjeneral Dreshaj të pranishmit i përshëndeti në emër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, duke falënderuar secilin nga pjesëmarrësit në garën e ushtarit më të mirë 2023, me këtë rast gjeneral Dreshaj ka theksuar rendësinë e garës dhe bashkëpunimit rajonal, aktivitetet e përbashkëta, konkurrencën në garën e ushtarit më të mire dhe të forcojë dhe përgatitë për integrimet në NATO.

Kjo garë është organizuar nga Rreshter majorët e Komandave të FSK-së, me këtë rast Rreshter majori i FSK-së, Bedri Zuka ka theksuar se kanë pasur një javë të gjatë dhe me shumë aktivitetet.

Në garën “Ushtari më i mirë 2023” kanë marrë pjesë garues nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Jordania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Pjesëmarrësit kanë garuar në disiplinat si: testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.

“Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere dhe të rajonit në këtë garë dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm”, është bërë e ditur tutje nga FSK.

Exit mobile version