Forca e Sigurisë së Kosovës ka fituar medaljen e argjendtë për performancë në garën ushtarake “Cambrian Patrol ‘22”, në mesin e në mesin e 107 ekipeve të ushtrive ndërkombëtare.
Në një komunikatë për media thuhet se FSK çdo ditë e më shumë po tregon nivel të lartë të përgatitjes profesionale përmes sukseseve që po arrin në gara të ndryshme ndërkombëtare.
“Së fundmi, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës arriti të marrë medaljen e argjendtë në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol ‘22” që u zhvillua në Britani të Madhe”, thuhet po aty.
Në këtë garë pjesëtarët e FSK-së treguan performancë të jashtëzakonshme gjatë stërvitjes 48 orëshe në Malet e Zeza të Uellsit, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare.
Bëhet e ditur se performanca e FSK-së është vlerësuar lart edhe nga këshilltari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter, si demonstrim i qartë i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK ka përmbushur.