Ministrat për Çështjet Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, në një deklaratë të përbashkët kanë mbështetur plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja.
Ata kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.
Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë:
Duke parë sfidat kryesore që kemi përpara, ne, Ministrat për Çështjet Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë konfirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për të marrë përgjegjësinë, për të promovuar përgjigje që trajtojnë shqetësimet e qytetarëve tanë, për të forcuar qëndrueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe për të siguruar të ardhmen tonë evropiane bazuar në vlerat e përbashkëta themeluese të BE-së.
Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të gatshëm të mbështesim proceset e reformave në rajon, ku përparimi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, është i një rëndësie të veçantë. Ne jemi të shqetësuar për krizën politike në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira më 2 tetor 2022. Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit, dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe të përkrahim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.