Një foshnjë vetëm 22-ditëshe, vëllai i saj 12-vjeçar dhe prindërit e tyre ishin në mesin e shtatë personave të vrarë nga predhat ruse në Ukrainën jugore të dielën.
Bombat goditën shtëpinë e tyre në fshatin Shyroka Balka në Kherson, tha ministri i Brendshëm ukrainas, Igor Klymenko.
Në mesin e të vdekurve ishte gjithashtu një banor tjetër i fshatit dhe dy burra në fshatin fqinj Stanislav.
“Terroristët duhet të ndalohen. Ata duhet të ndalohen me forcë. Ata nuk kuptojnë asgjë tjetër”, tha Klymenko.
Ministri ndau fotografi të pasojave të sulmit në Shyroka Balka, ku shiheshin trupat e atyre qe humbën jetën.
“Trembëdhjetë të tjerë u plagosën nga granatimet”, shtoi ai.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit dënoi sulmin “brutal” në Shyroka Balka.
“Pesë persona u vranë” tha ai. “Midis tyre ishte një vajzë, vetëm 22 ditëshe. Vëllai i saj, vetëm 12 vjeç. Nëna Olesia… vetëm 39 vjeç, vdiq gjithashtu”, tha presidenti.
Ai shtoi se kishte pasur 17 raportime për granatimet ruse vetëm në Kherson, dhe shumë të tjera më gjerë.
“Ne nuk do të lëmë asnjë nga krimet e Rusisë pa përgjigje”, shtoi Zelensky.