Sipas burimeve të Foreign Policy, anëtarët e njësisë komando të ushtrisë afgane, të cilët janë trajnuar nga forcat speciale amerikane dhe britanike, po kontaktohen nga Rusia dhe po u ofrohet të bashkohen me ushtrinë ruse dhe të luftojnë në Ukrainë.
Burime të shumta ushtarake dhe të sigurisë afgane i thanë Foreign Policy se dërgimi i komandove në Rusi mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në vijën e frontit. Kujtojmë se kur forcat perëndimore u larguan nga Afganistani vitin e kaluar, lanë pas rreth 20-30 mijë komando vullnetare.
Vetëm një numër i vogël u evakuuan kur talebanët morën kontrollin e Afganistanit dhe disa u larguan në vendet fqinje për të mos u kapur dhe ekzekutuar nga talebanët.
Shumë prej këtyre komandove tani janë pa punë ose shpresë, dhe disa janë ende në pritje për t’u siguruar strehim në MB ose SHBA.
Burime të sigurisë në Afganistan i thanë Foreign Policy se kjo mund t’i bëjë ata objektiva të lehtë për rekrutuesit rusë.
“Ata nuk kanë tokë, nuk kanë punë, nuk kanë të ardhme. Ata nuk kanë asgjë për të humbur” tha një burim.
Disa burime kanë sugjeruar se rreth 10.000 ish-komando mund të pranojnë ofertën ruse, e cila zakonisht vjen përmes aplikacioneve të tilla si WhatsApp dhe Signal.