UBT News

​Fjalimi i Mustafës në Hagë vijon i mbyllur, ai tha se kohët e fundit po përballet me stres

“Kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm”, ka deklaruar kështu i akuzuari nga Specialja, Salih Mustafa në seancën e sotme ku po zhvillohet gjykimi i tij në Hagë.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa po flet para trupit gjykues sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, por seanca po vijon e mbyllur për publikun.

Salih Mustafa dje ka lëshuar sallën e gjyqit për çka mbrojtja e tij ka deklaruar se i njëjti nuk dëshiron të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë gjykimit të tij. Por trupi gjykues e ka kërkuar prezencën e tij sot në sallë dhe menjëherë pas fillimit të seancës Mustafa ka kërkuar të flas dhe ka deklaruar se kohët e fundit po përballet me stres.

“Që në fillim po ju them se as dëshira ime as qëllimi im nuk është që të mos ju respektoj ju dhe panelin e kësaj gjykate por as zonjën avokate që është ulur atje përballë sepse nuk është as në bindjen time e as në kulturën time por kohët e fundit më është shkaktuar një stres dhe ky stres po vjen si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm dhe tani po ua them se cili është problemi. Pas 12 muajsh në paraburgim”, ka thënë Mustafa dhe seanca ka vijuar e mbyllur pastaj.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Exit mobile version