Me moton “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë” fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar kundër deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Protestës së thirrur nga ta iu bashkuan shumë qytetarë të cilët mbanin në duar pankartat “Kryeministër, mos i glorifiko kriminelët”, “Kryeministër kurrë s’i dhe asgjë Kosovës, dorëhiqu” si dhe “Më mirë veç Albin e me nder sesa kryeministër e tradhtar”.
Organizatori i kësaj proteste, Berat Beqiri përmes kësaj nisme tha se daklaratat e pamatura dhe siç tha ai, të rrezikshme politike, do të pasohen me kundërshtimin e tyre dhe me kërkesën për dorëheqje.
“Përmes kësaj proteste duam të tregojmë që ka ardhur koha për t’u distancuar dhe për t’i ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit politikë, pa përjashtim pozitë ose opozitë, për më shumë kujdes, maturi dhe përgjegjësi ndaj historisë, të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë. Dhe, për t’iu thënë se deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme politike, ofendimet e tilla si ky që bëri Albin Kurti do të pasohen me kundërshtimin tonë dhe me kërkesën tonë për dorëheqje”, tha ai.
Ndërsa, Edona Gashi gjatë kësaj proteste parashtroi disa pyetje për kryeministrin Kurti.
“Kryeministër po të pyes si një fëmijë e cila për 24 vite nuk e kam thirrur emrin “BAB”, çka po të pengon lufta e UÇK-së dhe gjaku i heronjve tanë? Kryeministër a të vjen turp që një kriminel lufte e quajtët hero, dhe gjakun e dëshmorëve e shkelët? Kryeministër a të vjen turp të dalësh para këtyre fëmijëve? Kryeministër a të vjen turp t’i hapësh edhe më shumë plagët e të plagosurve”, tha ajo.
Ditë më parë Kurti ka thënë se Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij, për çka edhe u kritikua.