27 marsi i vitit 1999 i mori fshatit Shkabaj të Obiliqit dhjetë dëshmorët e familjeve Rama, të cilët ranë heroikisht në Luftën Çlirimtare të Kosovës nga sulmet e pushtueseve serb.
Sot për nder të sakrificave dhe kontributit të tyre është mbajtur një tubim përkujtimor, me ç’rast kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se familja Rama i bashkoi pushkët gjatë kohës së luftës, së bashku me komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Po nderojmë heronjtë tanë, të cilët pushkët në kohën e duhur i bashkuan bashkë me pushkët e Drenicës, komandantit legjendar Adem Jashari, por jo vetëm. Familja Rama ka qenë në vazhdimësi pjesë e ilegales dhe pastaj edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku deri në flijim ka dhënë gjithçka për vendin. Do të jemi përherë mirënjohës, do të përulemi përherë para veprës së lavdishme të rënëve për liri, lavdi iu qoftë përjetësisht”, u shpreh Gashi.
Ndër të tjera, ngjarja në të cilën ranë dëshmorë të dhjetë anëtarët e familjeve Rama, ka ndodhur në shtëpitë e tyre në Shkabaj të Obiliqit, më 27 mars të vitit 1999, derisa të rrethuar kanë luftuar deri në rënien e tyre. Shkak i sulmit nga forcat pushtuese, ishte se shtëpitë e tyre ishin bazë e UÇK-së.
Në çastin kritik kur u sulmuan, qëndruan në rezistencë dhe ranë bashkarisht dëshmorët Ismet, Agron, Albert, Faruk, Xhevat, Shqipe, Suzana, Bejtush, Xheladin dhe Hamide Rama.