UBT News

​Familja kërkon përjashtimin e prokurorit në rastin e Astrit Deharit

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari ka deklaruar se janë të pakënaqur me punën e prokurorit, Afrim Shefkiu, për çka gjatë ditës së djeshme kanë bërë kërkesë për përjashtimin e tij.

“Nuk na thërret kurrë, nuk jemi armiq. Jemi njerëz që duam ta zgjedhim rastin. Askush nuk na jep sqarime shtesë. Kemi kërkuar atëherë që të na sqarojë raportin nga instituti i Zvicrës. Ne nuk e kemi marrë sot e asnjë dite, nuk na përfill si familje”, ka thënë Dehari.

Xhemile e Avni Dehari bashkë me avokatin Tomë Gashi në konferencë për media kanë shprehur pakënaqësitë për prokurorin Afrim Shefkiu.

Babai i Astritit Deharit, ky i fundit vdiq në nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit, deklaroi në konferencë për media se që nga fillimi, procesi është manipuluar dhe keqpërdorur.

“Vet fakti se ekspertët e pavarur të mjekësisë ligjore u kërcënuan për shkak të raportit objektiv, u kërcënuan edhe nga ministrja Dhurata Hoxha. Më 12 prill, avokati ynë e ka marrë raportin shtesë që nuk e mohuan konkludimin që përjashtohet vetëvrasja. Në vend që të na i dërgojnë neve, ia kanë dërguar vetëm avokatit. Pas reagimit tonë, ata më 14 prill, prokurori Afrim Shefkiu përsëri ka dalë në media”, ka shtuar ai.

Edhe avokati Tomë Gashi është shprehur se prokuroria nuk dëshiron që të vijë në përfundimin se Astrit Dehari është vrarë në qelinë A3 në Prizren.

“Ai nuk e dëshiron të vërtetën dhe më duket që nuk po e dëshiron as drejtësinë”, ka thënë Gashi.

Exit mobile version