Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin që mundëson faljen e 100 eurove tatim.
Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë e Ligjit për tatimin në pronë e kanë bërë drejtori ekzekutiv i Asociacionit, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Totaj theksoi se kjo është ndërhyrje në kompetencat e komunave dhe se me këtë ligj do të humbin miliona euro. Ai tha tutje se bashkë me kërkesë për ligjshmëri kanë kërkuar edhe masë sigurie për këtë Ligj dhe se presin nga Kushtetuesja që atë ta shpallë të kundërligjshëm.
Këtë veprim të komunave, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur të kotë. Ai në reagimin e tij në Facebook ka shkruar se krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”.
“Po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin. Sidoqoftë, edhe ky veprim i tyre është i kotë. Por kjo nuk pin ujë. Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023”, ka shkruar Murati.