Organizata ETEA ka reaguar lidhur me organizimin e testit të arritshmërisë, përkatësisht shpërputhjet e raportimeve të personave përgjegjës mbi mbarëvajtjen e testit dhe deklaratat e nxënësve mbi nivelin e lartë të kopjimit përgjatë testit.
Më 28 maj në Kosovë u organizua testi i arritshmërisë për rreth 26 mijë nxënës të klasëve të 9-ta në 156 qendra të testimit në të gjithë territorin e Kosovës.
Në komunikimet më të thjeshta të stafit të organizatës ETEA me nxënësit që i janë nënshtruar këtij testi, kuptohet se format e mashtrimit janë evidente dhe kopjimi në këtë test ishte në përmasa masive.
“Janë 2200 administrues dhe 460 komisionerë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij testi, të cilët, sipas deklaratës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – nuk kanë raportuar asnjë parregullësi. Por krejt tjetër çka, tregojnë fotot e bashkangjitura në këtë reagim. Për më tepër, sipas nxënësve me të cilët stafi i organizatës ETEA ka komunikuar, janë vetë administruesit/et e testit (jo të gjithë) të cilët mundësojnë kopjimin dhe i kontribuojnë kësaj ndërmarrjeje masive për mashtrim. Njëri/a nga nxënësit/et tregon se administruesi/ja ishte në dijeni për ekzistencën e grupeve online për kopjim (shih fotot e bashkangjitura), me ç’rast i udhëzon nxënësit/et që të mos shkruajnë në ato grupe për shkak të identifikimit potencial dhe të dalin nga grupet menjëherë pas përfundimit të testit. Kjo dëshmohet edhe me faktin se nxënësve iu është lejuar mbajtja e telefonave dhe përdorimi i tyre pasi komunikimi mes nxënësve në këto grupe vërehet së është bërë përgjatë kohës së zhvillimit të testit. Gjithsesi, organizata ETEA rezervohet nga qëndrimet përkatëse lidhur me deklaratat e nxënësve për administruesit/et e testit, vetëm se i bëhet thirrje publike Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfshirë Drejtorive Komunale të Arsimit, që të zhvillojnë komunikime me nxënësit/et dhe të zbulojnë më shumë informacion. Nuk janë dhe nuk duhet trajtuar vetëm komisionerët dhe administruesit/et e testit si burim informate. Testi i arritshmërisë, i organizuar në këtë mënyrë, në fakt shkakton kundër efekt. Një nxënës/e i/e me nota të mira përgjatë viteve shkollore, në fund përballet me një situatë e cila ia vë në pah jorelevancën e përpjekjes së tij/saj për të nxënit e dijes dhe arritjen e notave të larta. Në ndërkohë që një nxënës/e me nota të dobëta arrin rezultate të mira në testin e arritshmërisë, gjë që e fut në dimensione iluzive duke i krijuar besim të rrejshëm mbi dijet dhe aftësitë e tij/saj. Fundja, sistemi e certifikon me të tilla rezultate”, thuhet në komunikatë.
Fenomeni i kopjimit, sipas kësaj organizate, është rrënjosur në shkollat tona.
“Në raportin hulumtues të organizatës ETEA me titull “Lexueshmëria në shkollat e mesme të ulëta publike të Komunës së Prishtinës”, publikuar në vitin 2019, 78.6% e nxënësve të klasëve të 9-ta vetëdeklarohen se kopjojnë referatet dhe detyrat shkollore. Dhe kjo pashmangshëm se është e nënkuptueshme. Përderisa, nota mesatare e nxënësve kosovarë shpeshherë shkon në 4.5 dhe testet nacionale iu jepin atyre pikët më të larta, testet ndërkombëtare PISA dhe TIMSS pjesën dërrmuese të tyre i nxjerrin analfabetë funksional. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inoavcionit duhet urgjentisht të inicojë politika publike për ta minimizuar skajshmërisht fenomenin e kopjimit në sistemin arsimor paraunversitar të Kosovës dhe të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që në një a tjetër mënyrë e lejojnë apo mundësojnë kulturën mashtruese në mjediset edukativo-arsimore”, thuhet në reagim.