Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shpreson që Kosova dhe Serbia të zbatojnë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilin dy palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel.
Në një bashkëbisedim virtual me gazetarë, Escobar nënvizoi sërish nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin tha se është një obligim që duhet të nisë menjëherë të implementohet.
“Me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendosë afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, tha ai.