I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pritet të arrijnë në Prishtinë ndërmjet orës 15:00 dhe 16:00.
Sipas një komunikate për media nga Presidenca, dy emisarët do të takohen në ora 16:00 me presidenten Vjosa Osmani, ku mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, e më pas do të ketë komunikatë për media.
Rifillimi i dialogut si dhe Asociacioni pritet të jenë dy çështjet që do të jenë ne fokus të takimeve të dy emisarëve me krerët e shtetit dhe liderët politikë.
Qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA.
Lajçak do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikë kalimin e përbashkët në Mutivodë.