Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka planifikuar të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin rreth referendumeve të paligjshme të mbajtura në zonat e pushtuara ukrainase.
Erdogan deklaroi mbrëmë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar mbështetjen e Turqisë për “të bindur Putinin”.
“Uroj që ata të mos mbajnë referendume dhe që ne të mund ta zgjidhim problemin në mënyrë diplomatike”, tha ai.
Referendumet e mbajtura kohët e fundit në katër rajone të pushtuara nga Rusia në Ukrainën Jugore dhe Lindore nuk njihen ndërkombëtarisht sepse ato u mbajtën në kundërshtim me ligjet ukrainase dhe ndërkombëtare dhe pa standardet minimale demokratike.
Turqia është anëtare e NATO-s dhe ka marrëdhënie të mira me Ukrainën, por është gjithashtu një partnere e ngushtë e Rusisë.
Biseda telefonike midis Putin-it dhe Erdogan-it mund të përfshijë edhe planet për të ndërtuar një stacion të ri bërthamor në Sinop, në rajonin turk të Detit të Zi.
Centrali i parë bërthamor i Turqisë, “Akkuyu”, aktualisht po ndërtohet në Turqinë Jugore, ndërsa kompania shtetërore ruse “Rosatom” është përgjegjëse për ndërtimin.