Pas zhbllokimit të rrugës që çon për në Banjskë të Zveçanit, gjendja në këtë fshat është e qetë. Megjithatë Policia e Kosovës mbetet përgatitur për çfarëdo situate që ndodhë në veri të vendit.
Pjesëtarët e policisë, të cilët vërehen në numër më të shtuar, janë pozicionuar nëpër lokacione të ndryshme, ku përveç kujdesit për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, po vazhdojnë bastisjen e zonës, ku gjatë tri ditëve të fundit nxorën arsenal të madh armësh prej grupit terrorist nga Serbia.
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, ka bërë të ditur se situata në këtë pjesë të vendit është e qetë dhe se Njësitet policore, duke përfshirë edhe Njësitin K-9, janë duke vazhduar gjurmimet në zonat e caktuara, ndonëse siç u shpreh ai, deri tani nuk është gjetur ndonjë gjë.
Nënkoloneli Elshani potencoi se pjesëtarët e Policisë janë të përgatitur për çfarëdo situate që ndodhë.
“Situata e sigurisë këtu është e qetë, nuk ka ndonjë problem. .. Ne kemi kontrolluar shumicën e zonës, ku kohë pas kohe sjellim njësitë e specializuara siç shihet njësiti K-9 me qen, të cilët janë duke verifikuar komplet zonën… Sot jo (nuk është gjetur asgjë)… Kemi shumë policë sot këtu, jemi duke bërë kërkimin përsëri në disa zona të caktuara, situata është e qetë, mirëpo jemi të përgatitur për çfarëdo situate që ndodhë… Deri tani nuk kemi gjetur diçka, kemi kërkuar goxha mirë”, ka thënë Elshani.
Në anën tjetër, banorët e këtushëm ndihen të frikësuar pas krejt asaj që ka ndodhur këtu, ndërsa nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.
Prezenca e nënkryetarit të Listës serbe, Millan Radojçiqit dhe grupit të tij në sulmin terrorist që ndodhi të dielën në Banjskë, kanë lënë shumë gjurmë në këtë fshat, ku ende shihen kamionë të demoluar, arka të municioneve e gëzhoja plumbash të kalibrave të ndryshme nëpër rrugë, si dhe mbeturina të ushqimeve në objektet përcjellëse të manastirit, ku ata qëndruan atë ditë.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur dy të tjerë.