UBT News

​“Elektroseverit” i jepet licenca për furnizim të komunave në veri me energji elektrike

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji me pesë vota pro dhe asnjë kundër, ka aprovuar të premten licencën 5-vjeçare për furnizim me energji elektrike për “Elektrosever” për katër komunat veriore.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se territori që mbulon kjo licencë është e konsumatorëve të Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore, derisa tha se ky proces ka qenë i stërzgjatur.

Fejzullahu theksoi se kjo licencë ka të bëjë me furnizimin në katër komunat me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët e këtyre komunave do të furnizohet me çmime të cilat ofrohen nga ky furnizues.

“Me të drejtë u përshkrua në mënyrë kronologjike aplikacioni për licencim. Katër komunat në veri të Kosovës janë Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Mitrovica e veriut. Pra, territorin që e mbulon kjo licencë, është për këta konsumatorë të këtyre katër komunave. Besoj që ky proces ka qenë i stërzgjatur, marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, konkluzat e vitit 2015, edhe disa takime të fundit të cilat kanë qenë në Bruksel, me qëllim të implementimit të marrëveshjes së parimeve të vitit 2013 dhe konkluzave të vitit 2015. Kjo licencë duhet ritheksuar se ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve në katër komunat me çmimet e parregulluara, që do të thotë se konsumatorët e këtyre katër komunave do të furnizohen me çmimet, të cilat ofrohen nga ky furnizues. Mirëpo, duhet ritheksuar se tarifat e shfrytëzimit të rrjetit të transmisionit dhe të tregut, tarifat e shfrytëzimit të distribucionit do të jenë obligative dhe do të implementohen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Derisa Fejzullahu theksoi se “Elektroseveri” ka të drejtë ta blejë energjinë me shumicë në treg ku kjo kompani gjen çmime më të favorshme.

“Elektroseveri”, si çdo furnizues tjetër, ka të drejtë të blejë energji me shumicë në treg ku ai gjen çmime më të favorshme si në tregun vendor, ashtu edhe në tregun ndërkombëtar. Shitja me pakicë i lejohet vetëm në këto katër komuna”, tha Fejzullahu.

Kosova dhe Serbia në Bruksel të martën nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për energjinë 2013 e 2015, ku njëra ndër pikat obligon ZRRE-në t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.

Exit mobile version