Dhjetëra minatorë të ndërmarrjes “Trepça” edhe të enjten paradite në Stantërgë ishin në grevë shkaku i mosrealizimit të pagave për muajin korrik.
Ndërkohë u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani ka konfirmuar se në mesditë kanë ekzekutuar pagat e muajt korrik për të gjithë minatorët e minierës së Trepçës.
Kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepcës, Ibrahim Januzi, ka thënë për KosovaPress se minatorët gjenden në kushte shumë të rënda financiare, andaj po grevojnë për shkak të vonesës së pagave.
“Për shkak të mosrealizimit të pagave të minatorëve, ata po shprehin pakënaqësi përmes kësaj greve…Minatorët janë në kushte shumë të rënda për shkak të obligimeve ndaj institucioneve bankare, obligimeve familjare, planifikimeve të jetës së përditshme”, ka thënë Januzi.
Minatori Miftar Mehmeti theksoi se ka qenë i detyruar të krijojë raport me një bankë komerciale dhe tani për shkak të vonesës së pagesës së këstit mujor iu kanë paraqitur probleme. Ai shpreh hallin e tij se banka komerciale i ka dërguar disa herë mesazhe telefonike për të paguar këstin mujor.
“Është duke më ardhur mesazhi që tre herë prej banke për kredi”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, Enis Abdurrahmani, u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça” ka konfirmuar për KosovaPress se sot gjatë ditës, siç u shpreh ai falë subvencioneve të ndara nga qeveria, kanë ekzekutuar pagat për të gjithë minatorët e “Trepçës”.
Abdurrahmani thekson se ndërmarrja ka pasur disa kriza financiare si rezultat i rënies së çmimit të metaleve në bursë, kursit të paritetit mes dollarit dhe euros, si dhe disa problemeve tjera, të cilat, sic thekson ai, kanë ndikuar drejtëpërdrejt në vonesë të pagave.
“Sot janë ekzekuruar pagat për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Trepça” Sh. A. Pagat janë ekzekutuar falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Kosovës dhe falë angazhimit të madh të Ministrisë së Ekonomisë….Kemi pasur disa kriza si rezultat i disa faktorëve të jashtëm të cilat janë të pa menaxhueshme nga ana jonë, siç janë rënia e çmimit të metaleve në bursë, kursi i paritetit të dollarit dhe euros, edhe shumë probleme tjera që kanë qenë si rezultat i krizës së energjisë… Të gjithë këta faktorë kanë prekur në formë direkte të hyrat e ndërmarrjes, ndërsa kjo është shoqëruar me rënie të produktivitetit, si shkak i vjetërsisë dhe zhvlerësimit të makinave produktive në miniera dhe flotacione”, u shpreh Abdurrahmani.
Minatorët kanë nis protestën një javë më parë shkaku i mosekzekutimit të pagave të muajit korrik.
Minatorët në Mitrovicë patën hyrë në grevë edhe një muaj më parë, në korrik për mos ekzekutimin e pagave të muajit qershor.