Të mërkurën filloi grevë-protesta e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, e të cilët vendosën që të ndalin qarkullimin e autobusëve.
Bojkotimi i punës dhe greva e operatorëve të transportit publik do të vazhdojë edhe sot, ndërsa është paralajmëruar se në ditën e premte Shoqata e Transportuesve Rrugor të Udhëtarëve do të organizojë protestë në Prishtinë, dhe të gjithë operatorët do t’i sjellin autobusët para Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj të mërkurën tha se Këshilli Drejtues i shoqatës mori vendim që greva për mos qarkullim të transportit rrugor të udhëtarëve do të vazhdon edhe sot, ndërsa të premten orën 10:00 të gjithë operatorët e transportit do të defilojnë me autobus në Prishtinë në shenjë pakënaqësie për mosrealizimin e marrëveshjes nga ana e qeverisë për subvencionim të humbjeve ekonomike që kanë pasur operatorët e transportit publik në pandemi.
Ndërkohë që kryeministri në detyrë e Kosovës, Avdullah Hoti nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga Shoqata e Transportuesve të udhëtarëve që sa më parë të kthejnë shërbime për qytetarët. Ai ka shprehur gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të favorshme.
Në komunikatë thuhet edhe se bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (psh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa 50 % të qirasë, pagesa e 170 eurove). Në fund të komunikatës thuhet se pandemia COVID-19 ka prekur shumë sektorë dhe se është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset.
Mirëpo, kreu i shoqatës tha se kërkesat e tyre janë të njohura për Qeverinë që prej verës së kaluar.
Po ashtu Kurtishaj ka thënë se ka unitet nga pronarët e autobusëve në të gjitha qytetet për të vazhduar edhe më tutje me grevën dhe protestën deri në realizmin e marrëveshjes.